Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, u ka bërë thirrje qytetarëve për tubimin përmbyllës të fushatës elektorale këtë të shtunë, më 8 shkurt, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në këtë ngjarje, duke e përshkruar si një festë shprese dhe një refuzim estetik ndaj ndasive, përçarjes dhe urrejtjes.
“Të shtunën, të gjitha rrugët na sjellin në Sheshin më të madh të Republikës, në tubimin më të madh elektoral, në ringritjen më të madhe të djathtë! Ejani. Si festë, si refuzim estetik i ndarjes, përçarjes, urrejtjes – si shpresë për të bërë të ardhmen e këtij vendi siç e ka merituar gjithherë!
E shtunë, 8 shkurt, ora 18:00. Sheshi Skënderbeu, Prishtinë!
Vishuni trash, vishuni mirë; le të mbyllim në festë e shpresë gjithë rrugëtimin e tanishëm; për të nisur një të ri!
FITORE DHE ASGJË MË PAK!”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.