Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili të enjten gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës kishte thënë se LDK-në e ka marrë “lumi Vjosa”.
Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja është lumë i fuqishëm që rrjedh pa u ndalur.
“LDK-ja është lumë i fuqishëm, lumë që rrjedh që nuk ngrihet, e as nuk shkrihet as nuk bëhet borë, e që këtë Kurti dëshiron ta ndalë dhe të bëhet digë e këtij lumi, por fatkeqësisht për LDK-në ai nuk është digë dhe as nuk dinë të ndërtojë diga. Ai në rastin më të mirë din të ndërtojë një urë në Istog një metër e gjysmë. Përndryshe lumi i LDK-së do të rrjedhë shumë gjatë, ka rrjedh edhe 33 vjet e do të vazhdoj gjatë, shumë fuqishëm , pastër më ide të kohës, dhe me njerëz që e duan këtë vend që nuk janë popullsitë që nuk bëjnë cirk”, ka deklaruar Abdixhiku, në emisionin Debat Plus.
Ndërkaq, se Kurti kishte thënë që LDK-në e ka marrë “lumi Vjosa”, Abdixhiku është shprehur se i ka thënë Kurtit replikë në Kuvend që të kujdeset për partinë e vetë, se LDK-ja sipas tij, është e fortë.
“Kujdesu për partinë tende sepse LDK-ja është e fortë, kujdesu për njerëzit rreth vetit që nuk i ke më, sepse LDK-ja vetëm mundet me të përshëndet me 9 komunat e veta”, ka thënë Abdixhiku duke iu drejtuar Kurtit.
Gjatë ditës së enjte, kishte përplasje në mes të kryeministrit Kurti dhe deputetit të LDK-së Abdixhiku në Kuvend.
Gjithçka nisi nga një pyetje e Abdixhikut për Kurtin, gjatë fjalës së tij.
Derisa ia kujtoi kundërshtimet për Asociacionin, ai i ka thënë se po të takoheshin Kurti i opozitës dhe ai tani si kryeministër, a do ta puthte veten apo do ta pështynte.
“Sikur takoheshin me vetveten sy më sy, a kishin me u puth apo kishin me u pështy” e mendoni se çfarë shikimi do të kishte Albin Kurti në pasqyrë. Unë brengë nuk e kam nëse në pasqyrë i del vetja Luan apo Kameleon, por qëndrimin politik të Kosovës dhe mungesën e plotë të kredibilitetit. Kjo mungesë kredibiltieti shpreh mungesë qartësie të institucioneve tona”, kishte deklaruar i pari i LDK-së.”
Pas këtyre debateve, Kurti kishte dalë nga salla, pasi siç tha Konjufca, ai kishte një telefonatë të rëndësishme dhe më pas Kuvendi shkoi në pauzë, pasi deputetët thanë se do ta presin kryeministrin për ta vazhduar debatin.