Abdixhiku kërkon dorëheqjen e Kurtit, thumbon edhe PDK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të japë dorëheqje dhe pastaj, si rrjedhojë, të shpërbëhet Kuvendi. Kjo parti ka theksuar se s’do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshje të prearranzhuar prapa dyerve të mbyllura

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’, ku ka zhvilluar takim me profesorë universitarë e me diplomatë, 13 korrik 2023.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe pastaj shpërbërjen e Kuvendit.

Abdixhiku ka thënë se Kurti po tenton ta instrumentalizojë opozitën si shpëtim nga dështimi dhe se për këtë, sipas tij, ai tashmë ka gjetur aleatin.

Por, kreu i LDK-së ka theksuar se këtë instrumentalizim partia e tij nuk e pranon.

“Pas tre vjet e gjysmë populizëm dhe pa ndonjë progres thelbësor, pas tre vjet e gjysmë polarizimi, ndarjeje shoqërore e nxitje të propagandës pa asnjë konsideratë njerëzore e politike, Kryeministri i Kosovës ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh. Fatkeqësisht, në këtë instrumentalizim, ka gjetur aleatin. LDK-ja nuk e pranon këtë instrumentalizim në asnjë rrethanë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Siç thuhet në komunikatën për medie, LDK-ja është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, por sipas tyre, fillimisht duhet të japë dorëheqje kryeministri.

“Për këtë, duhet dorëheqja e Kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data. Ky është rendi i gjërave”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Gjithashtu, LDK-ja ka konsideruar se në këto ditë fokusi i institucioneve dhe i partive politike duhet të jetë te çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, proces të cilin, sipas tyre, me papërgjegjshmërinë e tij, e ka rrezikuar rëndë vetë kryeministri.

LDK-ja mes të tjerash ka theksuar se nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje të prearanzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave.

“LDK-ja e refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë. LDK-ja thërret për një unitet të djathtë gjithëkombëtar, si lidhje përtejpartiake, si lëvizje shpëtimtare. Gjendja e tanishme, politike, ekonomike, diplomatike e sociale kërkon lidership të ri në Kosovë. Rëndesa ekonomike, pagat e ulëta, çmimet e larta, sistemi shëndetësor i rrënuar e arsimi i mbetur prapa, sikurse dhe ngecjet enorme integruese për në BE e anëtarësuese për në NATO, po shkaktojnë çdo ditë zbrazjen e Kosovës, me nga 173 qytetarë duke u larguar nga vendi ynë çdo ditë e secilën ditë”, thuhet tuje në komunikatën e LDK-së.

LDK-ja u ka bërë thirrje të gjitha palëve politike që të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të kryeministrit, “sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur”.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika