Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar se Qeveria e Kurtit nuk di të krijojë dhe të ndërtojë, ku sipas tij tij Qeveria nuk i lë as të tjerët që të krijojnë apo të ndërtojnë.
Ky refuzim paranoik, sipas Abdixhikut, ka dhënë një goditje të jetës kulturore në Prishtinë e në Kosovë.
Ai e ka quajtur skandal të pariparueshëm për vendin tonë, detyrimin e largimit të festivalit Sunny Hill, ku sipas tij kjo ngjarje vendoste Kosovën ne hartën kulturore botërore.
Sipas tij largimi i artistëve nga vendi është shuarje e mundësive për të rinjtë e Kosovës.
“Largimi i shtëpisë verore të artistëve më me nam në botë, është shuarje e mundësisë për të rinjtë e të rejat tona që megjithatë afër vetes kishin një ngjarje që shumë shtete do ta donin. Shteti ynë paranoik këtë ngjarje nuk e do. Ata bënë çmos të refuzojnë vendimin e qeverisjes së LDK-së në asamblenë e kryeqytetit për të mbajtur një ngjarje si kjo në Kosovë përherë,” ka shkruar Abdixhiku.
Ndër të tjera ai ka shkruar, se kjo politikë është paranoike dhe vazhdimësi e zymtësisë politike të cilën në çdo hap popullistët e shtetit janë duke e prodhuar.
“Këtë Kosovë të shpërfytyruar të tyre, qytetarët tanë nuk e meritojnë.”