Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke u drejtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, Kryesisë dhe qytetarëve të Kosovës, ka theksuar rëndësinë e mbledhjes së sotme, ku u miratuan kandidatët për degët e LDK-së për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ai ka deklaruar se ky moment është jetik për të ardhmen e Kosovës dhe ka garantuar se lista e kandidatëve përmban njerëz të integruar, të rinj dhe profesionistë të angazhuar për ndryshimin që duan qytetarët.
Kryetari i LDK-së e ka cilësuar Republikën e Kosovës si një shtet të rrezikuar, ku përçarjet dhe polarizimi i thellë po minojnë zhvillimin e saj.
“Sepse në Republikën tonë, nuk ka vend për një aparat shtetëror, që përdorë inteligjencën për të përcjellë gazetarët. Në Republikën tonë, nuk ka vend për atak institucional e parapolitik ndaj medias, nuk ka vend për mbyllje të mediave, nuk ka vend për sulme jetëkërcënuese ndaj gazetarëve e raportuesve të lirë të një shoqërie të lirë. Nëndija politike ndonjëherë flet shumë, por tek ne flet qartë, kur një pushtet kërkon që lajmet të merren vetëm nga ta, në atë moment, mu në atë moment, ne duhet të kuptojmë se para se të kemi një problem politik, kemi problem të funksionimit shtetar demokratik”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka akuzuar Qeverinë Kurti për dështimin në realizimin e premtimeve dhe për ndikimin negativ në shoqërinë kosovare, duke theksuar se një shoqëri e ndarë ka arritur nivele të paimagjinueshme të urrejtjes dhe izolimit ndërkombëtar.
Përveç kritikave ndaj qeverisë dhe pushtetit të tanishëm, ai ka theksuar se LDK është partia që ka të drejtën dhe obligimin për të udhëhequr me një program të ri, duke përmbushur ëndrrën për një Kosovë të zhvilluar dhe të integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO.