Abdixhiku: Kosovës nuk i duhet marrëveshje bazë me Serbinë, por finale me njohje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se asnjë plan që nuk është marrëveshje finale me Serbinë dhe nuk e ka njohjen reciproke në të, nuk është i mirë për Kosovën

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të shtunën e 14 janarit, ka thënë se asnjë plan që nuk është marrëveshje finale me Serbinë dhe nuk e ka njohjen reciproke në të, nuk është i mirë për Kosovën.

Ai ka theksuar se Kosova duhet t’i ketë parasysh kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun, si aleat kryesor strategjik dhe garantues që integriteti territorial, sovraniteti dhe kushtetueshmëria e Kosovës janë të panegociueshme dhe të pacenueshme për vendin.

“Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më sot, qëndrimi i SHBA-ve është i njëjtë. SHBA-të mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe integrimin euroatlantik të Kosovës, ato kanë mbështetur edhe procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve të Kosovës. Madje, pa mbështetjen e SHBA-ve asnjëra prej njohjeve, asnjëra nga proceset integruese nuk do të kishte marrë formën që ka marrë pas pavarësisë”, ka deklaruar Abdixhiku, duke kritikuar qeverinë aktuale, pasi sipas tij, ka një “qasje të pakoordinuar me aleatët”, e cila, mendon se i ka sjellë edhe tensionet në veri të vendit.

“Kosova nuk duhet të bëjë përplasjen e vetë me faktorin ndërkombëtar, dhe duhet të fokusohet që të mos ketë telashe brenda territorit të vet. Qasja e pakoordinuar e qeverisë së Kosovës më aleatët tanë, ka sjellë një situatë të re në veri, ku në emër të sovranitetit sot kemi më pak sovranitet. Sot në veri ka më pak sovranitet që ka pasur gjashtë muaj më parë, atje nuk kemi as policë, as prokurorë, as gjykatës e as komuna. Kjo qasje  e pakoordinuar ka sjellë një rezultat më të keq për Kosovën dhe çështja e parë që duhet të bëjmë është që të kemi sovranitet të plotë juridik, administrativ, të sigurisë sepse serbët në veri me kushtetutë janë qytetarë të këtij vendi”, ka vijuar Abdixhiku.

Ai ka komentuar gjithashtu planin franko-gjerman për dialogun, duke thënë se çfarëdo marrëveshje me Serbinë duhet të jetë finale dhe me njohje, përndryshe sipas tij, çdo çështje tjetër do të jetë dëm për vendin.

“Asnjë plan që s’është marrëveshje finale dhe që nuk e ka njohjen në të, nuk është i mirë për Kosovën. Kaq mund të them, nuk e kam dokumentin në tavolinë, s’kam punuar me atë dokument dhe nuk kam mundur të shoh më gjatë. LDK nuk është pjesë e këtij procesi, por pozicioni i LDK-së është se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë finale dhe duhet të ketë njohjen në të. Çdo çështje tjetër është dëm i pariparueshëm për vendin tonë”, ka thënë Abdixhiku.

Mbi bazën e deklaratave të aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës se tani nuk është momenti i duhur për njohje reciproke, kryetari i LDK-së i kërkon shpjegime kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se si është e mundur që dy vjet pas letrës së presidentit të SHBA-së, Joe Biden, ku kërkon njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tani të kemi normalizim të mosnjohjes në dialog.

“Qëllimi i Kosovës është që të ketë njohjen reciproke në marrëveshjen finale, më pas Kosova me këtë marrëveshje finale të hapë rrugën drejt vendeve jonjohëse të Kosovës, me theks të veçantë katër shtetet që s’e njohin Kosovën dhe janë brenda NATO-s dhe kështu të nisë proceci integrues në NATO, që duket më real dhe i afërt për Kosovën. Në këtë drejtim vendi ynë duhet të insistojë, ndërsa në anën tjetër Qeveria e Kosovës duhet të shpjegojë se si është e mundur që dy vite pas letrës së presidentit Biden, të kemi normalizime të mosnjohjes në këtë moment. Mos e ngatërroni me pavarësinë e Kosovës si qëndrim zyrtar i ShBA-së, por me produktin final që del prej procesit dialogus në këtë fazë. Në këtë periudhë për LDK-në qëndrimi fillestar është po ashtu përfundimtar, neve na duhet një marrëveshje finale, jo bazë. Jo një marrëveshje që jemi në fillim dhe prapë negociojmë pastaj disa vite për të. Po ashtu, një marrëveshje që e ka njohjen pjesë të saj”, ka shtuar ai në një intervistë të dhënë të shtunën për KP.

Njashtu, ai ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, që t’ua shpjegojë qytetarëve se a ekziston njohja de-juro e Kosovës nga Serbia në draftin e dytë të planit që u është dorëzuar.

“Unë konsideroj që Qeveria e Kosovës, në këtë rast kryeministri Kurti, duhet të jetë i qartë dhe transparent me qytetarët e vendit të vet dhe t’ua shpjegojë atyre të vërtetën rreth procesit dialogues, në të cilin, është Kosova. Tani LDK-ja nuk është në proces dialogues, nuk merr pjesë në negociata, nuk është palë e komenteve, marrëveshjeve e drafteve, ne e kemi parë draftin e parë të dokumentit të planit franko-gjerman, i kemi hedhur një sy në takim që kam pasur me kryeministrin dhe kaq është njohuria jonë për këtë dokument. Nga ajo që kemi parë bëhet fjalë për një marrëveshje që nuk është finale, pra është një marrëveshje bazë dhe bëhet fjalë për një marrëveshje që nuk e ka njohjen de juro të përfshirë në të. Kryeministri e ka këtë përgjegjësi që t’u shpjegojë qytetarëve të vendit të vetë spektrin politik në përgjithësi. Të na shpjegojë a është njohja de jure pjesë e këtij plani, dhe a është marrëveshja përfundimtare siç kemi kërkuar”, ka deklaruar ai.

Tutje, Abdixhiku ka dhënë detaje edhe nga takimi me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili gjatë kësaj jave ka qëndruar në Kosovë dhe është takuar edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

“Takimi me Chollet është një shenjë e një angazhimi më të madh të SHBA-ve, jo vetëm ndaj Kosovës dhe procesit të dialogut në Kosovë, por edhe gjithë zhvillimeve politike në rajon, në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë Kosova dhe zyrtarët tanë publikë, partitë politike dhe vetë populli duhet të jenë mirënjohës. Ne përballemi me një administratë miqësore me Kosovën siç është administrata Biden, një administratë që njeh mirë problematiken kryesore në Kosovë dhe historikun e zhvillimeve në Kosovë, në raport me Serbinë. Ky fokus dhe kjo vëmendje për Kosovën, duhet të shihet si mundësi e jashtëzakonshme. Chollet ka qenë në Kosovë për të rikonfirmuar përkushtimin amerikan ndaj procesit të dialogut dhe për të kërkuar përkushtim të institucioneve tona ndaj kërkesave miqësore të SHBA-ve”, është shprehur Abdixhiku.

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika