Lumir Abdixhiku, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar liderët aktualë për neglizhencën e tyre ndaj qytetarëve, të cilët, sipas tij, janë të harruar nga populizmi dhe çmenduria politike.
Abdixhiku ka shprehur bindjen se LDK-ja do të rikthehet në pushtet. Ai i ka ndarë disa foto nga një takim me anëtarët e partisë në Prishtinë dhe ka theksuar se LDK-ja është në rritje dhe se puna e saj e mirë po i sjell sfida të reja.
“Përbashkimi ynë, rritja jonë, punët e mbara që i bëjmë, na i vënë kundërshtarët përballë. Aty bëhen të gjithë bashkë kundër nesh; sikurse tash, sikurse bëheshin gjithherë. Por koha jonë po vjen”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka theksuar se tani është koha për të komunikuar drejtpërdrejt me qytetarët dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre.
Ai ka shprehur se ata që janë të harruar dhe të lënë pas nga populizmi dhe çmenduria politike kanë nevojë për zërin e LDK-së.
“Tani, nga këtu, dalim në terren. Aty do të flasim me qytetarët tanë. Ata, të harruarit e lënët pas nga populizmi e çmenduria politike që ka kapluar vendin tonë tash e sa kohë. Ata kanë nevojë për zërin tonë; dhe ne kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Në Prishtinë ne veçse kemi rigjetur njëri tjetrin. Do të jemi bashkë! Me gjithë strukturat tona, do të jemi në çdo lagje, në çdo hyrje, në çdo shtëpi, brenda në qytet e në çdo fshat”, ka thënë ai.