Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është vonuar dy vjet për ta hartuar draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sipas tij, “padituria” e Kurtit është çmimi që paguajnë të gjithë qytetarët.
“Ka plot dy vite që ne, LDK, dhe gjithë miqtë më të afërt të Kosovës, që i kërkojmë Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e ‘kryeministrit të shtetit të përkohshëm’, që të hartojë draftin e statutit të Asociacionit, si dokument i brendshëm i Kosovës. Si obligim ndërkombëtar i Kosovës. Ka dy vite që ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’, i ulur në tavolinë dialoguese me tre mosnjohjes të tjerë shteti, që ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë”, ka shkruar Abdixhiku.
“Në seancën e 3 nëntorit, e kuptuam arsyen. Na tha, ‘nuk kam dashur të shkruaj një dokument të tillë, meqë kam qenë i bindur se ndërmjetësuesi më pas do të sillte një mes të dokumentit të Kosovës dhe atij të Serbisë’”, ka thënë kreu i LDK-së.
Sipas Abdixhikut, dy muaj më pas Kurti del me propozim që tani Kosova ta shkruajë statutin e Asociacionit vetë.
“Se qenka çështje e brendshme e jona. E paska kuptuar nga ndërmjetësuesi. Dy vjet pas. Vonë. Shumë vonë. E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga “kryeministri i shtetit të përkohshëm” dhe Presidenti i Serbisë”, ka thënë tutje Abdixhiku.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në vitin 2024 do të krijojë një draft modern evropian për Asociacionin, së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ky reagim i Kurtit vjen pas deklaratës së të dërguarit të posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, se draft-statuti është vetëm çështje e brendshme e Kosovës.
Lexo dhe: Kurti – Lajçakut: Në vitin e ardhshëm do të shkruaj një draft modern evropian për Asociacionin
“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar Kurti.
I dërguar i posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllava Lajçak, ka dhënë detaje pse nuk po përfillen kërkesat e Kosovës që Serbia ta nënshkruajë draftstatutin Asociacionit për Komunat me shumicë serbe.
Lexo dhe: Lajçak jep detaje pse nuk po e obligon Serbinë që ta nënshkruajë draft-statutin për Asociacionin
Sipas Lajçakut, një gjë e tillë nuk po bëhet për shkak se draft-statuti i Asociacionit nuk është marrëveshje ndërkombëtare, por dokument i brendshëm i shtetit të Kosovës.