Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në “Facebook”, ka shprehur mbështetjen e tij ndaj futbollistit, Edon Zhegrova.
Kjo pasi Zhegrova është përjashtuar nga grumbullimi me vendim të selektorit, Franco Foda dhe FFK-së.
“Edoni është një djalë i jashtëzakonshëm! Është i sjellshëm, është i edukuar dhe mbi të gjitha është i përkushtuar në atë që bën. Fitoren dhe suksesin e manifeston – siç edhe e thotë ai vet. E kam parë nga afër përkushtimin e tij. Ai edhe në qëndrimet e shkurta në Kosovë tregon disiplinë. Në çdo drekë e darkë që kemi pasur bashkë, ai kujdesej për secilin ushqim. Në Francë madje edhe e raportonte menynë. Pas çdo takimi përfundonte në palestër. Mbi të gjitha ai është i sjellshëm. Asnjëherë arrogant. Intelegjent në diskutime ani pse është veç në të 20-tat. Të kesh kaq shumë jetë strikte në këtë moshë të re shpesh them se është dënim. Por, ja që vetëm një i përkushtuar – një profesionist – bën kaq disiplinë,” shkruan Abdixhiku.
Teksa Zhegrovën e quan yll evropian, thotë se në çdo paraqitje të tij ai e ngrit Kosovën.
Përtej gjithë këtyre, e pavarësisht gjithë këtyre, Edon Zhegrova është yll evropian.Ai vjet ishte zgjedhur ndër tre futbollistët më të mirë në Francë. Mbappe ishte i pari. Këtë vit, veç vet kualifikoj Lillen në Ligën e Kampionëve. Në çdo paraqitje të tij ai lartnon Kosovën, e manifeston tregimin e bukur të Kosovës! Pra është aset kombëtar! Si i tillë ai duhej mbrojtur si aset kombëtar! Edoni do të ngritet mbi çdo padrejtësi. Sepse i tillë është. I drejtë dhe fitues. Të drejtit shpesh shkelen sepse është e lehtë, por si fitues që është do t’i mundë të gjithë! Kokën lartë djalë! Në vargun e gjatë të dështimeve të futbollit kosovar, je shpresë që në fund Kosova ka me ja dalë,” ka shkruar Abdixhiku.