Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi në Suharekë prezantoi programin “Rruga e Re”, një plan që përfshin 120 projekte me një buxhet prej 5 miliardë eurosh.
Abdixhiku theksoi se Suhareka mbetet besnike ndaj vizionit rugovist dhe është e gatshme për ndryshime të mëdha.
“Kushtrimi i djathtë po bie edhe në Suharekë, në qytetin e Ukë Bytyqit. Suhareka e Ukës po na ko firmon se ajo mbetet rugoviste siç kishte qenë çdo herë. Suhareka juaj qenka ngritur në këmbë për ta bërë ndryshimin”, ka thënë Abdixhiku.
“Rruga e Re, ka 120 projekte, ka 5 miliardë euro investime, ka 5 miliardë euro buxhet, ka 5% rritje ekonomike. Aty ku na ndjellin frikën prej Serbisë, ne, të djathtit e Kosovës, qytetarët e lirë të Republikës së Kosovës, pasardhësit politik të Ibrahim Rugovës, kemi krenarinë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Plani “Rruga e Re” përfshin investime të mëdha në arsim, shëndetësi dhe ekonomi.
Abdixhiku premtoi mësim të plotë ditor për nxënësit kosovarë, shujta të ngrohta, kushte moderne në shkolla dhe ndërtimin e një spitali të ri me kushte moderne dhe sigurime shëndetësore.
“Aty ku ata kanë ofruar radhë të gjata për blerjen e librave, ne kemi mësim gjithë ditor për fëmijët kosovarë, shpresën e ardhme të këtij vendi. Shujta të ngrohta, 8 orë në shkollë, fëmijë të dijshëm e të shëndoshë. Aty ku ata kanë ofruar meremetime klinikash e lyerje sallash, ne kemi ndërtimin e Spitalit të Ri në Kosovë. Kushte moderne nga shekulli i ri, përkujdesje me sigurime shëndetësore e me digjitalizim. Aty ku ata kanë vështruar rritjen e çmimeve e sfidën e përballueshmërisë, ne kemi ofruar paga të larta e të ardhura me dinjitet. Koeficienti 150, që në javën e parë të qeverisë së re, për shërbyesit civil, është zotimi ynë i parë – është vendimi ynë i parë! Një javë, 150!”, ka shtuar Abdixhiku.
Sa i përket sfidave energjetike, ai paralajmëroi ndërtimin e një centrali me gaz për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji.
Në aspektin politik, Abdixhiku theksoi se LDK-ja dhe qytetarët e Kosovës mbeten të guximshëm përballë Serbisë.
“Aty ku shtrenjtimi i energjisë elektrike s’ka fund, ne kemi plan për Central me Gaz, për stabilitet furnizimi, për një ekonomi të sigurt me partnerë! Rruga e Re, ka 120 projekte, ka 5 miliardë euro investime, ka 5 miliardë euro buxhet, ka 5% rritje ekonomike.
Aty ku na ndjellin frikën prej Serbisë, ne, të djathtit e Kosovës, qytetarët e lirë të Republikës së Kosovës, pasardhësit politik të Ibrahim Rugovës, kemi krenarinë. E kemi mundur Serbinë një herë – do ta mundim përherë“, ka shtuar Abdixhiku.