Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar sot një tubim madhështor në Gjakovë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një moment historik për partinë dhe qytetin.
Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e Gjakovës në këtë fazë të re të LDK-së, duke e përshkruar si një qytet të cilit do t’i kthehet roli kyç në ndërtimin e të ardhmes politike të Kosovës.
“Edhe Gjakova qenka ngritur në këmbë! Qenka besatuar për një ndryshim të madh kombëtar! Dhe kjo kryengritje e juaja, përfundimisht na bind se ndryshimi që kemi premtuar po merr formë, po merr trajtë, po merr kuptim. Populli i Kosovës, nga Llapi në Anamoravë, nga Dukagjini në Anadrin, nga Fusha e Kosovës tek Bjeshkët e Rugovës, nga Karadaku tek Malet e Sharrit – po i ribashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës shpresës së parë dhe të fundit të Republikës së Kosovës!
Ky rrugëtim i ri historik po formësohet dhe në Gjakovën tuaj, në Gjakovën time, në Gjakovën që së shpejti, do të rikthehet si Gjakova e Lidhjes Demokratike”, ka deklaruar ai gjatë fjalimit.