Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) njëherit kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku gjatë një tubimi në Shtime, ka adresuar një mesazh për qeverinë, në lidhje me doracakët për Edukatë Seksuale.
Abdixhiku i ka thënë qeverisë që t’i mbajë duart larg nga familjet dhe fëmijët, duke u shpreh se LDK nuk i lejon.
“Më lejoni të përçoj një mesazh tek ata që kanë menduar, e po mendojnë t’i fusin duart e tyre tek familjet kosovare”, ka thënë ai.
Tutje Abdixhiku ka thënë se “Ata që konsiderojnë eksperimente sociale me fëmijët tanë nëpër shkolla, e që promovojnë të pazakonshmen mes pasurisë sonë më të madhe kombëtare, vet familjes kosovare, kam dy mesazhe: Mbani duart larg prej familjes, mbani duart larg fëmijëve tanë në Kosovë. LDK nuk ju lejon, LDK nuk ju toleron, populli i Kosovës nuk lejon, nuk ju toleron”, ka thënë Abdixhiku.