Gjatë ditës së premte është intervistuar në Prokurorisë Speciale të Kosovës, ambasadori Kosovar në Kroaci, Martin Berishaj.
Për këtë ka reaguar i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka kërkuar përgjegjësi të plotë para ligjit duke theksuar se “për këtë do të jemi pa kompromis”.
“Dhe teksa flasim për mafinë energjetike, sot, jo më larg se një ditë pas diskutimit në Kuvend, Korporata Energjetike ka shtuar edhe dy tenderë sekret. Sot janë nënshkruar 2 tenderë sekret, në vlerë prej gjysmë milioni euro. Partia në pushtet bëri një arsyetim. Nxori një poster nga numrat e të kaluarës, kështu po na thotë hajna ata, hajna edhe ne. Por hajnat janë të njëjtë. Keqpërdorimi i parasë publike ka një përfundim. Përgjegjësi të plotë para ligjit. Për këtë do të jemi pakompromis”, ka thënë Abdixhiku, në një video-mesazh.
Sipas Abdixhiku, Berishaj ka fshehur pasurinë që posedonte.
“Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ishte ndërmjetësues në blerjen e energjisë, për këtë kishte marr plot 1.5 milionë euro para këtu në Prishtinë. Para Komisionit Hetimor në Parlament që kishim bërë ne, kishte fshehur edhe të gjithë pasurinë. Për të gjitha këto vepra kishte marr mbështetjen blanko të Qeverisë”, ka shtuar kryetari i LDK-së.
Ndërsa, avokati i Berishajt, Tomë Gashi, ka thënë se klienti i tij që prej datës 27 janar të vitit 2023 kishte bërë kërkesë që të japë deklaratë sqaruese në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Ai bëri të ditur se tashmë ambasadori Berishaj ka dhënë deklaratë por ajo, sipas tij, është konfidenciale.
“Martin Berishaj qysh më 27.01.2023 ka paraqit kërkesë për të dhënë deklarate sqaruese në Prokurorinë Speciale te Republikës se Kosovës, lidhur me pretendimet qe kanë dalë në media. Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK. Deklarata e tij është konfidenciale”, tha ai.
“Unë për shkak te kësaj situate si avokat i Martinit nuk mund të ju them asgjë për përmbajtjen e kësaj deklarate”, vijoi Gashi.
Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, u intervistua nga Prokuroria e Speciale në Prishtinë. Ky intervistim vjen pas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilën, është raportuar gjerësisht në medie.
Në mediumet sllovene, në prill të vitit të kaluar, ishte raportuar se politikani slloven Robert Golob ka bërë transaksione nga dega serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-i, për te kompania e Berishajt, MB Consulting. E nga kompania e Berishajt janë nxjerrë më pas gradualisht 600 mijë euro para të gatshme që dyshohet se i janë kthyer Golobit.