Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe liderët e tjerë opozitarë, ka thënë se LDK kërkon koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë për të stabilizuar situatën e sigurisë në vend.
“Në këtë takim për pjesën më ta madhe nuk kuptuam diçka më të re sesa deklarimet që kryeministri tashmë i ka pasur, dhe nuk pamë ndonjë plan konkret për zgjidhjen e çështjes së re të krijuar dhe nuk pamë ndonjë lëvizje apo gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai beson se koordinimi i ngushtë me Departmantin amerikan të shtetit, aleatët në Washington e Bruksel është zgjidhja e vetme adekuate në situatën e tanishme në të cilën gjendet Kosova.
“Kosova nuk duhet të bjerë pre e kurtheve të destabilzimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd, por që duhet ngushtë me aleatët e vet të sigurojë paqen dhe stabilitetin në territorin e vet”.
“Për një ecje të tillë qeveria e Kosovës do të ketë mbështetjen e LDK-së, për aq kohë sa bën një koordinim në këtë drejtim dhe për aq kohë sa ka plan konkret për çështjen e sigurisë në vend. Nuk pamë ndonjë plan për dalje nga kjo situatë”, shtoi ai.
Ndonëse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pak minuta më pas la takimin, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, zgjodhën të qëndrojnë brenda.
Takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe liderëve opozitarë ka filluar në orën 8:00. Në këtë takim është paraparë të diskutohet për situatën e fundit në veri të vendit.
Të gjitha partitë opozitare i janë përgjigjur ftesës për takim nga kreu i Qeverisë së Kosovës, Kurti.
Ndryshe, të hënën, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me situatën aktuale në veri të vendit, për të cilën PDK-ja ka ngritur shqetësimet e saj.
Sipas Krasniqit, dorëheqjet e fundit të Listës Serbe e të zyrtarëve policorë e punonjësve në sistemin e drejtësisë nga institucionet e Kosovës, përbëjnë akt të paprecedent dhe krijojnë një situatë problematike për Kosovën.
“Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit janë shumë shqetësuese dhe cenojnë funksionimin, stabilitetin dhe sovranitetin e shtetit tonë. Në këtë situatë, ku epilogu është i paqartë e rreziku i përshkallëzimit është evident, komunikimi dhe harmonizimi i veprimeve të institucioneve dhe të gjithë akterëve politikë është i domosdoshëm”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që të ketë harmonizim të veprimeve me opozitën dhe gjithë spektrin politik, dhe, po ashtu, të ketë koordinim edhe me aleatët ndërkombëtarë.
Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se në skenarët e “satelitëve të Serbisë” që për qëllim kanë dështimin e marrëveshjes së planit franko-gjerman është kyçur dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkaq, Kurti, në lidhje me situatën në veri të vendit, në një konferencë për media ka thënë se nuk bëhet fjala për targa të automjeteve, as për suspendimin e Nenad Gjuriqit, por për refuzimin që Serbia i ka bërë nismës së Berlinit e Parisit.
“Serbia duhet ta kamuflojë këtë refuzim që i ka bërë Evropës dhe ShBA-së, cfarë po ndodh tani shpjegohet me përpjekjen e Beogradit, për ta ambalazhuar nismën franko-gjermane”, ka deklaruar Kurti në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas Kurtit, Serbia qartazi është e interesuar për të sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje, pasi është në koordinim me grupet ilegale serbe.