Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar dhunën e ushtruar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, duke e përshkruar situatën si të trishtë.
Ai gjithashtu ka theksuar se dhuna në Kuvend nuk është diçka e re dhe se LDK-ja e ka përjetuar vetë këtë fenomen në të kaluarën.
Abdixhiku ka treguar se në ditën e dhunës në Kuvend, ai kishte vazhduar takimin me profesorët universitarë si përgjigje ndaj situatës së tensionuar.
“Dhuna në Kuvend nuk ka qenë e re. LDK më së miri e di se si është kur dikush e përdor dhunën si mjet. Dhuna nuk është mjet politik për LDK-në. Ishte një ndjenjë e keqe sinqerisht. Atë ditë e vazhdova takimin me profesorët universitarë si përgjigje ndaj asaj që po ndodhte”, ka thënë Abdixhiku për emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Sipas Abdixhikut, Kuvendi i Kosovës është bërë një arenë e polarizimit politik, e cila është sponsorizuar nga kryeministri Albin Kurti.
Abdixhiku ka kritkuar ministrat për mungesën e përkushtimit të tyre ndaj punës së tyre dhe për sjelljen e tyre në Kuvend.
Ai ka shprehur bindjen se ministrat vijnë në Kuvend për të bërë spektakël dhe për propagandë, në vend që të trajtojnë çështje të rëndësishme si mungesa e barnave dhe lehtësimet në biznes.
Në përfundim, Abdixhiku ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës po përballet me sulme të ndryshme, duke përfshirë deputetët, mediat dhe ambasadorët.
“Nga Kuvendi po atakohen të gjithë, përfshirë deputetët, mediat, ambasadorët. Ministrat po vijnë në Kuvend për TikTok. Për shou. Ministrat nuk po vijnë për të folur për punë. Për mungesën e barnave, për shembull. Ose për lehtësime biznesore, ta zëmë. Ata po vijnë për propagandë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka bërë thirrje për ta kthyer Kuvendin në një forum konstruktiv për debat dhe vendimmarrje, në vend që të bëhet një skenë për konflikte dhe propagandë.