Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me rastin e 22-vjetorit të vdekjes së veprimtarit, Xhemail Mustafa, ka thënë se ai mbetet figura e njeriut modest, të qetë e fjalëpak, që sipas Abdixhikut rrezatonte mirësi e maturi.
Me anë të një postimi në Facebook, kreu i LDK-së ka theksuar se vrasja e Xhemail Mustafës ishte goditje e rëndë ndaj vlerave më të larta të kombit dhe të vetë demokracisë, për të cilën ai nuk u ndal së punuari gjatë gjithë jetës.
“Sot, edhe pas 22 vitesh, përderisa vrasja e tij mbetet e pazbuluar për familjen, LDK-në dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij, dhimbja bëhet edhe më e madhe çdoherë. Edhe sot kur kanë kaluar më shumë së dy dekada nga vrasja e Xhemail Mustafës, ai mbetet figura e njeriut modest, të qetë, fjalëpak që rrezatonte mirësi e maturi”.
“Vrasja e tij në hyrje të banesës ishte tronditje e madhe jo vetëm për familjen dhe rrethin e bashkëpunëtorëve, por për mbarë vendin e sapo dalë nga lufta. Xhemail Mustafa ishte profil shumëdimensional i shkrimtarit, publicistit, gazetarit e këshilltarit politik, bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit Rugova”.
Sipas Abdixhikut, roli dhe kontributi i Xhemail Mustafës në rrugëtimin për liri dhe pavarësi është i pashoq, eliminimi i tij nga dora e zezë që nuk ia deshi të mirën Kosovës, ishte vetëm eliminim fizik.
Kjo ngase siç theksoi Abdixhiku, ideali i tij për shtetndërtim nuk u ndal asnjëherë, e vazhdon të jetë inspirim për gjeneratat që vijnë.
Më 23 nëntor të vitit 2000 u shua mizorisht nga jeta, Xhemail Mustafa, njëri ndër kolosët e lëvizjes politike të viteve 90’ta.
Ai ka punuar si redaktor në fushën e kulturës në gazetën “Rilindja”, pastaj zelli i tij prej një doajeni të gazetarisë e informimi të opinionit publik vazhdoi edhe në QIK (Qendrën Informative të Kosovës) deri në momentet e vrasjes së tij.