Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim delegacionin austriak, grupin parlamentar të Miqësisë Austri-Kosovë, gjatë kësaj të hëne.
Përmes një njoftimi të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), thuhet se në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale politike në vend me theks të veçantë çështjen e sigurisë.
“Po ashtu në takim u vlerësuan raportet e shkëlqyeshme mes të dyja vendeve. Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohje për mbështetjen të cilën Austria i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese, në veçanti në procesin e liberalizimit të vizave. Po ashtu ai kërkoi mbështetje në proceset integruese si dhe lobim për njohje të reja për Kosovën”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Tutje në njoftim thuhet se palët janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit si dhe shkëmbimin e praktikave parlamentare.