Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se strukturat vendimmarrëse të partisë kanë miratuar propozimin e tij për emërimin e Kujtim Shalës si nënkryetar të Kuvendit të Kosovës dhe Hykmete Bajramit si shefe të grupit parlamentar të LDK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se ky vendim është mbështetur si nga Grupi Parlamentar i LDK-së, ashtu edhe nga Kryesia e partisë, dhe se të dy pozitat do të formalizohen përmes veprimeve të mëtejshme nga deputetët e partisë.
“Sot, para strukturave vendimmarrëse të partisë, kam propozuar Akademik Kujtim Shalën për nënkryetar të Kuvendit të Republikës, si dhe zonjën Dr. Hykmete Bajramin për Shefe të Grupit Parlamentar të LDK-së.
Propozimi është mbështetur nga Grupi Parlamentar dhe nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës; dhe të dy pozitat do të nominohen përkatësisht caktohen nga grupi ynë.
Ju priftë e mbara e dalshi faqebardhë në këtë detyrë fisnike për shtëpinë tonë politike, votuesit tanë e popullin e Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.