Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku në hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore ka thënë para mijëra të tubuarve dhe simpatizantëve të kësaj partie se shteti ka harruar punëtorët – dhe që, me LDK-në në qeverisje “shteti kthehet te ta”.
“Kam parë dhe betejën e ndërmarrësve e inovatorëve që nuk kanë projekte zhvillimore në shtetin që i konsideron si shkatërrimtarë të vetmit që krijojnë! Në shtet, shtetin e tyre, në qeveri, në qeverinë e tyre, të njëjtit duhet të gjejnë partner, mbështetës e mbrojtës – sikurse secili ndërmarrës tjetër kudo nëpër botë!”, ka thënë Abdixhiku.
Tutje kandidati i LDK-së për kryeministër u shpreh se ”Kam parë përpjekjen e mësuesve, mjekëve, zjarrfikësve, shërbyesve publik, kam parë përpjekjen e policëve, ushtarëve, përpjekjen e sportistëve e artistëve e secilit tjetër në këtë shoqëri, që e bën atë çfarë ne quajmë sot Kosovë. Kam parë, mbi të gjitha, betejën e atyre të lënë në harresë e nevojë! Të gjithë këta, shtetin e kanë, por shteti nuk është për ta. Më 9 shkurt, shteti kthehet te ta”, tha Abdixhiku.