Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku në hapje të fushatës zgjedhore tha se LDK është forcë politike e cila është shpresë për vendin.
Abdixhiku para mijëra simpatizantëve të LDK-ss të tubuar në Prishtinë, paraqiti njëqind e dhjetë kandidatët e partisë bashkërisht me shpalosjen e planprogramit “Rruga e Re”.
Me të nisur adresimin ai shënoi “dallimin” e partisë së vet me partinë që qeverisë këto katër vite vendin, për të cilët tha se kanë ndjellur “helm e vrerë – kanë ndarë në tradhtarë e patriotë – me mua apo Serbinë”.
“Në Republikën tonë propaganda nuk e zëvendëson realitetin me tabela fiktive përplot mashtrime – në Republikën tonë tabela e vetme është ajo e familjeve koosvare që jetojnë, punojnë e përpiqen për një jetë të dinjitetshme e të ndershme”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se programi dhe idetë e LDK-së janë rezultat i angazhimit të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë me familjet dhe njerëzit në Kosovë – për të cilët tha se “i kam dlgjuar, takuar e parë”.
“Të gjithë këta, shtetin e kanë, por shteti nuk është për ta. Më 9 shkurt, shteti kthehet te ta!”.
“Atyre që ndihen të harruar u them: Ju dëgjojmë. Atyre që ndihen të anashkaluar u them: Ju shohim. Atyre që ëndërrojnë për një të nesërme më të mirë ju them: Këtë të ardhme do ta bëjmë!”, tha Abdixihiku,
“Sot qëndroj para jush me zotimin për një ambicie të madhe. Një që ju fton juve dhe secilin tjetër të besojnë në Kosovë. Ky vend i pasurive përrallore, i njerëzve të shkëlqyeshëm e familjeve punëtore, ka një tregim të bukur përpara. Ky tregim na vjen si thirrje e gjyshërve tanë e si detyrim ndaj fëmijëve tanë. Ky tregim na thërret që të bëhemi të barabartë mes popujve e kombeve evropiane”.
Abdixhiku e nisi me atë që qysh në javën e parë të qeverisjes së vet eventuale, koeficientit do ta ngrisë në 150 për pagat në sektorin publik.
“Për këtë përgjigjemi para vendit, para Zotit, para secilit qytetar të vendit! Nga 200 euro më shumë, secilin muaj – ky është zotimi ynë!”, tha ai.
“Në Kosovën e territ, të qirinjve e reduktimeve, në Kosovën ku s’ka rrymë sepse paskemi zhvillim ekonomik, në këtë Kosovë ne do të ndërtojmë Centralin e ri me Gaz në Ferizaj! 500 milion euro investim, për centralin me gaz amerikan; për të dhënë fillimisht furnizim me energji, e më pas dhe energji më të lirë. Sepse për ne, të djathtit, për ne, Lidhjen Demokratike, energjia është edhe ekonomi edhe siguri! Prandaj energji me gaz, prandaj energji me gaz amerikan!
Për të gjithë qytetarët tanë, që bredhin për shërim nëpër botë, për të gjitha familjet tona, këtu në Kosovë, do të ndërtojmë Spitalin e Ri të Kosovës, me plot 500 milion euro investim në të. Spital i ri, lokacion i ri, ndërtesa të reja, pajisje të reja – shëndetësi moderne siç e meriton vendi jonë bukur e përrallor!”.