Anëtarja e kryesisë së Lidhja Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka njoftuar se kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku pas pak do t’i kthej përgjigje kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nëpërmjet një letre zyrtare të cilën do ta bëjë publike.
Derisa Abdixhiku po mban takim me nënkryetarët e kësaj partie, Lushaku tha se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar karshi LVV-së.
“Edhe gjatë fushatës, edhe parafushatës, të gjithë kritikën që e kemi ndërtuar, e kemi ndërtuar me argumente dhe kemi totalisht konsistencë, kështu që mos mendoni që kemi ndryshuar diçka radikalisht, jemi konsistent ndaj të gjitha partive politike, veçanërisht ndaj Vetëvendosjes, meqë kemi qen kritik ndaj gjuhës që është përdorur”, tha ajo.
Përndryshe, Albin Kurti ka ftuar Abdixhikun për takim nesër por i ka lënë mundësi edhe pasnesër.
Vlen të ceket që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se është i pamundur formimi i një qeverie të re nga Lëvizja Vetëvendosje pa një koalicion, duke theksuar se tashmë vendi ndodhet në “skenarin B” pas zgjedhjeve.
Në një deklaratë pas mbledhjes me partitë politike, Konjufca sqaroi se qëllimi i VV-së ka qenë qeverisja e vetme, por rezultati zgjedhor nuk e mundësoi këtë, ndaj tani nevojitet një qasje e re për të formuar qeverinë.
Në këtë kontekst, ai theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë subjekti i parë me të cilin është kontaktuar për konsultime, duke e cilësuar këtë si “privilegj”. Ai theksoi se gjuha që do të përdoret gjatë negociatave do të jetë ajo e bashkëpunimit dhe partneritetit, duke thënë se “politika nuk ndërtohet mbi urrejtjen apo dashurinë, por mbi interesin e përbashkët për të përfaqësuar Republikën e Kosovës”.