Kryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të vizitës së tij dyditore në Parlamentin Evropian në Strasburg, është takuar me kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk.
Me anë të një postimi në Facebook, Abdixhiku shkroi disa fjalë për kryeministrin e Polonisë.
Sipas kreut të LDK-së, Tusk vazhdon të jetë një mbështetës dhe mik i madh i Kosovës.
Abdixhiku thekson se LDK-ja do të vërë në dispozicion të Republikës relacionin e afërt që ka me Donald Tusk.
“Donald Tusk është zgjedhur Kryeministër i Polonisë. Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë një mik i madh i Kosovës dhe popullit tonë. Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetës i Lidhjes Demokratike të Kosovës brenda politikës evropiane në secilin rol që kishte deri më tani. Një vit më parë, në takimin e zhvilluar në Roterdam, më tha se po kthehej në vendlindje për të fituar garën që i ishte vënë përballë; dhe se Kosova e LDK do të kenë një derë të hapur më shumë”, shkroi ai.
Ndryshe, Abdixhiku vizitën e ka nisur me pjesëmarrje në ndezjen e qirinjve dhe të dritave të Krishtlindjes, organizuar nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.