Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,(LDK), Lumir Abdixhiku, të mërkurën e 29 qershorit, ka pritur në takim njoftues, shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ambasadoren Heleni Vakali.
Sipas njoftimit nga LDK, Abdixhiku me ambasadoren Vakali, diskutoi për situatën aktuale politike, si dhe për proceset integruese të Kosovës dhe rajonit, me ç’rast theksoi se roli mbështetës i Greqisë është tepër i rëndësishëm.
Me këtë rast, kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen ndaj shtetit grek për përkrahjen që i ka dhënë vendit tonë në procesin e liberalizimit të vizave.
Gjatë takimit, kryetari Abdixhiku, përveçse vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, theksoi se thellimi i bashkëpunimit të mëtejmë në fushën politike dhe ekonomike dhe fusha të tjera është me interes reciprok.
Ndryshe, Heleni Vakali gjatë muajit maj ka qenë në Kosovë, ku ka pasur takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Nga diplomatja greke, krerët e Kosovës kishin kërkuar formalizim të njohjes nga Greqia për shtetin e Kosovës.