Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Abdixhiku ka thënë se sot konstatohet se kombi shqiptar është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Kjo është dita historike e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Është Nëntori i Dytë, dita më e rëndësishme pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Për këtë ditë u bashkuan të gjithë burrat e kombit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sot, në këtë përvjetor kujtojmë plakun e urtë, Ismail Qemali, i cili i rrethuar nga burrat e tjerë të kombit e shpalli Shqipërinë shtet të pavarur”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ka përkujtuar edhe ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, duke thënë se me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës, e plotëson këtë ditë të madhe.
Po ashtu, ai ka përkujtuar edhe komandantin legjendar, Adem Jashari, duke thënë se sakrifica e tij është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë.
“I kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë për integrimin e të dy vendeve në familjen e përbashkët natyrale-perëndimore.
“Zoti i bekoftë shqiptarët. Zoti i bekoftë miqtë e shqiptarëve. Zoti e bekoftë Kosovën!”, ka vijuar Abdixhiku.
Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në këtë ceremoni nuk munguan as dy kryetarët e Kuvendeve, Glauk Konjufca dhe Lindita Nikolla.
Po ashtu edhe ministrat e kabinetit qeveritar dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, mëngjesin e 28 nëntorit kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për nder të shënimit të ditëlindjes së heroit legjendar, Adem Jashari.