Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka pasur një javë me plotë takime me ambasadorë të shteteve mike të Kosovës.
Pas tërë këtyre takimeve, Abdixhiku ka thënë se respektojnë vullnetin e qytetarëve të dhënë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Gjatë kësaj jave, prita në takim ambasadorët e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian, Francës e Italisë. Me të gjithë, diskutuam mbi procesin zgjedhor, rezultatet e deritanishme, e domosdoshmërinë për pritjen e numërimit të secilës votë, përfshirë dhe ato të mërgatës”.
“Siç kam deklaruar në vazhdimësi, LDK e respekton vullnetin qytetar në plotni. As nuk dëshiron e as nuk pretendon ta anashkalojë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Kreu i LDK-së tutje ka thënë se partia e udhëhequr nga ai “do të sillet konform këtij vullneti me plot përgjegjësi; siç dhe do të përfaqësojë denjësisht zërin e votuesit tonë. Falenderime të pafundme për mbështetjen e aleatëve tanë në çdo sfidë të Republikës”, ka shkruar Abdixhiku.
