Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka propozuar që zgjedhjet nacionale të mbahen më 26 janar të vitit 2025.
Abdixhiku ka thënë vendit i duhet sa më parë një qeveri që e parandalon zhbërjen e shtetit.
“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin properëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme”, ka shkruar ai në Facebook.
Kreu i LDK-së ka theksuar se zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë.
Po ashtu, ai ka thënë se zgjedhjet vijnë në një “moment kritik të vendit, të gjeneratave të tashme dhe atyre që vijnë”.
“Prandaj, dhe përbashkimi i së djathtës sot është thirrje për shpëtim!”, ka shtuar ai.
Edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka theksuar se partia e tij është gati për zgjedhje në çfarëdo date.
“Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijeni dhe kurajën që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se shpreson që presidentja Osmani do ta shpallë 26 janarin datë të zgjedhjeve të reja.