Gazetari Enton Abilekaj, Samitin për Ukrainën, i cili do të mbahet në Tiranë, e ka quajtur të rëndësishëm për nga forma, por jo edhe për nga përmbajtja.
Në një linjë direkte në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Abilekaj thotë se nuk janë dhënë shumë detaje lidhur me Samitin, por që i njëjti është vendosur të mbahet në Tiranë pas një takimi në Shkup.
“Është një samit shumë i rëndësishëm… në pikëpamjen e vëmendjes ndërkombëtare që tërheq është shumë i rëndësishëm, në pikëpamjen e përmbajtjes, pastaj është pak e çuditshme se çka do të diskutohet në këtë samit, çka do të sjellë të re për Ukrainën. Në përmbajtje besoj që është një samit pa një kuptim të rëndësishëm, por në formë në atë që do të japë si mesazh është një gjë e rëndësishme që në Tiranë bëhet një samit ku merr pjesë edhe Zelensky. Nuk janë dhënë detaje për samitin për Ukrainën në Shqipëri”, tha ai.
Gazetari nga Shqipëria thotë se ky takim vjen pas një konsulte kryesisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Tirana është iniciatore në një takim të Shkupit që u bë para një muaji ku mori pjesë O’Brien, Rama njoftoi më pas që do të mbahej një samit për Ukrainën në Shqipëri. Besoj që është një konsultë kryesisht me SHBA-të që e ka shtyrë Ramën që ta bëjë këtë samit”, shtoi më tej ai.