Deputeti i VV-së, Artan Abrashi, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se janë skeptikë sa i përket bashkëpunimit me Serbinë.
“Ne jemi skeptikë te bashkëpunimi i Serbisë, nuk mendojmë që Serbia është e interesuar që ta dorëzojë atë (Radojçiqin)”, ka thënë Abrashi.
Ndërsa për deklaratën e presidentit Vuçiq se Radojçiq do të përballet me proceduara serioze në Serbi, ai ka thënë se kjo është vetëm një farsë.
“Sikur çdo deklaratë e tij, edhe kjo duhet të jetë farsë, sepse ne kemi dyshime tepër të bazuara që Millan Radojçiq, gjersa po flasim tani, është duke u marrë aktivisht edhe me organizime tjera të natyrës së njëjtë në të ardhmën ndaj rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës. Po të mos ishte kështu, ai nuk do të ishte në liri, ndaj tij do të merreshim masa, do të bëhej edhe dorëzimi i tij në Kosovë. Mirëpo, është një farsë nëpërmjet të së cilësi s’i blen kohë para faktorit ndërkombëtar”, ka thënë Abrashi.
“Mirëpo, pavarsisht këtij skepticizmit, nëse eventualisht në të ardhmen shtohet presioni ndërkombëtar, ndoshta edhe mund të ketë diçka”, ka thënë ai.
Organizata ndërkombëtare e policisë, Interpol, ka lëshuar urdhërarrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, në lidhje sulmin e armatosur në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës.
Lajmin e konfirmoi për Dukagjinin, Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Lexo dhe: Rashiq: Interpol-i lëshon urdhërarrest për Radoiçiqin
Rashiq ka thënë se urdhri është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
“INTERPOL” ka lëshuar urdhërarrest jo vetëm për Milan Radoiçiq, por edhe për 11 persona të tjerë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Siç raporton media opozitare serbe “Nova”, urdhri është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Lexo dhe: “INTERPOL-i lëshon urdhërarrest edhe ndaj 11 sulmuesve të Banjskës”
Meqë Kosova nuk është anëtare e Interpol-it, urdhërarrestet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.
Çka ndodhi në Banjskë?
Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin policor, Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë.
Radoiçiq u mor në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në muajin tetor dhe u ngarkua me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi, por ia konfiskoi dokumentet.
Përmes një letre publike të lexuar nga avokati i tij më 29 shtator, Radoiçiq tha se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.
Ai mohoi përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë në sulm.