Deputeti i partisë më pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka kërkuar që Byrrja Federale e Hetimit (FBI) ta hetojë vrasjen e Faton Hajrizit nga forcat policore serbe, pas vrasjes së një polici serb në Serbi.
Abrashi, përmes një postimi në Facebook, theksoi se një strukturë policore ndërkombëtare, siç është Byroja Federale e Hetimit (FBI) ose Scotland Yard, do të ishte e përshtatshme për të kryer hetimin.
“Ajo çfarë kërkoi ministrja Haxhiu është përveçse e drejtë edhe shumë e nevojshme. Duhet një hetim ndërkombëtar për rastin e fundit që ndodhi në Serbi me vrasjen e Policit pastaj edhe të Faton Hajrizit. Këtë hetim do të ishte mirë ta bënte një strukturë policore ndërkombëtare siç mund të jetë FBI, Scotland Yard e të tilla të kësaj kategorie”, ka shkruar Abrashi në Facebook.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar për herë të parë pas raportimit për vrasjen e Faton Hajrizit, i cili u arratis nga Burgu i Smrekronicës me 6 korrik dhe i dënuar për disa vepra të rënda kriminale.
Sipas Haxhiut nevojitet një hetim edhe për aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit, të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë.
“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti. Një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës. Si ministre e drejtësisë, ofroj bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.