Deputeti nga partia Lëvizja Vetëvendosje, Artan Abrashi, në seancën plenare që po mbahet të premten e 9 dhjetorit, në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se këto ditë është vërtetuar ajo që vazhdimisht është thënë, që në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë.
Sipas Abrashit, një dallim të tillë po e bëjnë Policia e Kosovës, e cila sipas tij, po i pengon kriminelët.
“U vërtetua edhe një herë ajo që kemi thënë vazhdimisht, në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Ky dallim po theksohet çdo ditë, policia jonë po e bën atë, kurse kriminelëve kjo gjë po u pengon. Po u pengon sepse ata duan të mos luftohet krimi dhe kontrabanda, ata duan shtimin e laboratorëve të drogës, ata duan shtrirjen e kontrollit kriminal të Beogradit, duan ozurpim të pronave, duan përdorimin e targave të Millosheviqit, duan mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë sikurse të ishte territori i saj, duan struktura paralele, gjendje të anarkisë, duan mospagesë të energjisë elektrike, ujit, taksave e tatimeve, përdorimin e operatorëve ilegalë. Ata duan të kërcënojnë, vrasin, kindapojnë, djegin dhe shkatërrojnë çdo gjë që u del në rrugë”, ka thënë Abrashi.
Tutje, Abrashi ka shtuar se institucionet e sulmuara në veri dhe sulmet e fundit, të cilat kanë ndodhur në pjesën veriore të vendit, kanë ardhur pas kërcënimeve të vazhdueshme të presidentit të Serbisë dhe zyrtarëve të lartë serbë, të cilët sipas tij, janë të përfshirë në aktivitete kriminale. Sipas Abrashit, sulmet e tilla po ndodhim me qëllim që të ndalen përpjekjet për vendosjen e rendit ligjor dhe kushtetues në veri.
“Në kohën kur bëhen përgatitjet që në katër komunat e veriut të organizohen zgjedhjet demokratike për kryetarë komunash, institucionet tona janë përballur me sulme të vazhdueshme. Dje në mbrëmje, në krye të detyrës zyrtare është plagosur një polic, të mërkurën në “Lagjen e Boshnjakëve” në të cilën, jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, u raportua se janë hedhur dy shokëbomba. Ndërsa, para disa ditësh në Mitrovicë është hedhur shpërthyes pranë zyreve të KKZ-së, gjitha këto akte u bënë pas kërcënimeve të vazhdueshme të presidentit të Serbisë dhe zyrtarëve të lartë serbë të përfshirë në aktivitete kriminale, me qëllim të ndaljes së çdolloj përpjekje të vendosjes së rendit ligjor dhe kushtetues në veriun e vendit”, ka shtuar Abrashi.
Abrashi ka thënë se sulmet ndaj institucioneve në veri po shtohen, për shkak se kriminelëve po u ngushtohet hapësira.
“Por gjërat po ndryshojnë, kriminelëve po u ngushtohet hapësira, kontrabandistëve po u mbyllen rrugët dhe bandave kriminale po u ngushtohen rrethet. Prandaj, sulmet ndaj institucioneve tona po shtohen”, ka thënë Abrashi.
Ndër të tjera, sulmet e tilla, Abrashi i ka quajtur akte me elemente terroriste, duke thënë duhet t’i dënohen sulmet dhe kërcënimet që vijnë ndaj Kosovës.
“Të gjithë duhet t’i dënojmë këto sulme karshi dhunës dhe kërcënimeve ndaj Kosovës, duhet të jemi unikë, nuk guxojmë të bëhemi pjesë e agjendave shtetrrënuese të Kosovës, nuk guxojmë të vëmë në dyshim synimet e saj të lirshme dhe të drejta. Akteve sikurse këto dje, nuk duhet të hezitojmë t’u japim epitetin e vërtetë që u takon, si akte me elemente terroriste sepse ishin të tilla”, ka shtuar Abrashi.
Abrashi, po ashtu, ka shtuar se Kosova nuk duhet të dorëzohet, veriu është i Kosovës dhe do të mbetet i tillë, ndërsa ka theksuar se secili vend është i rrezikuar nga bandat kriminale dhe terroriste.
“Sfida për të garantuar siguri për qytetarët, është barrë e pashmangshme e çdo vendi. Çdo shtet në botë, qoftë i fortë apo i dobët, në një apo tjetër formë, është i rrezikuar nga bandat kriminale dhe terroriste. Nuk duhet të dorëzohet Kosova, as veriu, ai është i Kosovës dhe do të mbetet i tillë. Tash që e kemi shtetin, shteti ynë është caku”, ka thënë Abrashi, në seancën plenare që po mbahet në Kuvend.
Abrashi, në fund të fjalës së tij në Kuvend, ka thënë se Kosova nuk duhet të dorëzohet, por t’i tregojë botës se nuk dorëzohet.
Ndërsa, për policin që është plagosur dje, në veriun e vendit, i cili është duke marrë trajtimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, i ka dëshiruar shërim dhe ka uruar që ai sa më shpejt të kthehet në detyrën e tij.
“Kush qëndron fiton, policit të plagosur dje i dëshirojmë shërim dhe i urojmë kthim në detyrë”, ka përfunduar Abrashi.