Pas këngës “Mos harro”, këngëtarja Adea Pula do të sjellë një tjetër këngë për të na shoqëruar përgjatë përditshmërisë sonë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja, e cila rikthehet në studion e Radio Dukagjinit për të biseduar me Donika Hyseni dhe Mirdon Pacolli në “Drive on D”, bisedë kjo e cila na bëri të kuptojmë më shumë për pjesën e krijimit të “Mos harro”.
Megjithëse, për vite të tëra imazhi që kishim për këngëtaren ishte një vajzë e vogël, e cila këndonte këngët “Afrikane Tungare”, “2+2 bëjnë tre” dhe “Mos u nervozo”. Adea u rikthye pas disa vitesh për të na treguar, siç e quan ajo “një Adea më të pjekur që ka kohë pa bërë diçka në muzikë”.
“E ndjeva, mendova që është momenti i duhur që të rikthehem tash. Ka kohë që desha të rikthehem, mirëpo angazhimet profesionale nuk më lejonin, ishte momenti i duhur dhe thjesht e shfrytëzova mundësinë”, ka thënë këngëtarja gjersa ka theksuar se “kam qenë në kërkim të një projekti të tillë që shfaq një Adea të pjekur që ka kohë pa u përfshirë në muzikë, ngase njerëzit paramendojnë akoma Adean e re që këndon ‘Dy plus dy bëjnë tre’”.
Sipas saj, “Mos harro” nuk është një këngë e cila do të duhej të lansohej në verë, dhe lansimi i saj në publik u bë pikërisht në kohën e duhur.
Krahas muzikës, Adea nuk ka lënë anash as profesionin e saj.
“Unë jam duke u marrë me profesion, ashtu si kam filluar të studioj juruidikun, do të vazhdoj të merrem prapë me të dhe në të njëjtën kohë, po përpiqem të merrem me muzikë, nuk mund të lë njërën ose tjetrën”, ka thënë këngëtarja, gjersa ka theksuar se muzika është diçka e cila e përmbush shpirtërisht.
Se si u realizua klipi i këngës së saj më të re dhe çfarë nënkuptonin skenat në të, Adea ka thënë se si perfeksioniste që është, është kujdesur për çdo detaj të tijin. Mirëpo, ajo thotë se ndihmën më të madhe e ka pasur edhe nga vëllai i saj, për të cilin, thotë se është përkujdesur për konceptin e klipit.
“Ka një kuptim pjesa me penj, ka një kuptim pjesa pse dal nga një derë, ka komplet lidhshmëri të secilës pjesë në tjetrën dhe kur ai e ka shkruar, ka menduar që do të më duket çuditshëm ngase nuk përshtatej me stilin tim të përditshëm, por kur e lexova me pëlqeu ideja se si do të mund të dilte, thash pse jo”, ka thënë Adea.
Sipas saj, klipi i këngës mbetet një klip unik, i cili ka një lidhshmëri me vetë tekstin e këngës.
Se për çka do të flitet në projektin e saj të ardhshëm, këngëtarja nuk ka zbuluar shumë, mirëpo ajo ka thënë se ky do të jetë një projekt, në të cilin do ta shohim solo, projekt ky i cili do të lansohet së shpejti. Dhe krahas kësaj, ajo thotë se do ta shohim më ndryshe.