Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka bërë të ditur se sot është rivarrosur trupi i Adem Hazirit i zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Siç bën të ditur ky komision, ai është rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës.
Komisioni ka njoftuar tutje se mbetjet mortore të Adem Hazirit janë gjetur dhe zhvarrosur vite më parë nga varreza masive në Suhodoll, derisa janë identifikuar gjatë këtyre muajve përmes metodës shkencore të ADN-së.
“Në ceremoninë e rivarrimit të organizuar sot, sipas kërkesës së familjes Haziri dhe Shoqatës së familjarëve të personave të zhdukur ‘Zëri i Prindërve, Mitrovicë’, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur”, thuhet në njoftim.
Përfaqësuesit e Komisionit, krahas ngushëllimit shprehën edhe mirënjohjen për familjen Haziri dhe gjitha familjet e personave të zhdukur me forcë që përkundër dhimbjes dhe ankthit të pritjes janë në mbështetje të vazhdueshme të punës së KQPZH-së.
Ndërsa më 25 korrik të këtij viti, Jashar Hamzaj e Muharrem Bobi, që për këto 24 vjet ishin në Listën e Personave të Zhdukur, janë rivarrosur në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve dhe Martirëve në Lybeniq.