Profesori universitar Dritëro Arifi, ka thënë se me inaugurimin e Donald Trump si president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dialogu Kosovë-Serbi mund të përmbyllet me një marrëveshje që nënkupton njohjen ligjërisht të obligueshme.
Arifi u shpreh se marrëveshja që Trump arriti për të ndaluar luftën mes Izraelit dhe Palestinës, dëshmojnë se ai ka një fuqi të madhe në vendimmarrje. Prandaj sipas tij, problemet në Ballkan mund të jenë më të lehta për t’u përfunduar sesa ai që ka ndodhur në Lindjen e Mesme.
“Nëse e shohim mënyrën se si ka operuar presidenti Trump, apo si ka operuar më herët apo sjellja e tij politike ende pa ardhur në pushtet veç e kemi një marrëveshje të përfunduar, çështjen e Izraelit dhe Gazës. Pra një marrëveshje paqësore për ndaljen atje të luftimeve, po tregon që ka një fuqi të madhe në vendimmarrje dhe në Ballkan është çështja me e lehtë se sa në Izrael dhe Palestina”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Arifi tha se beson se, nëse administrata e re e Trump fokusohet në zgjidhjen e çështjeve të mbetura nga ish-presidenti Biden, mund të arrihet një marrëveshje me njohje ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, e që sipas tij, kjo do të ishte zgjidhja e duhur dhe se çdo marrëveshje tjetër vetë e zgjatë problemin.
Ai ka shtuar se përfundimi i çështjeve më të vogla, si dialogu Kosovë-Serbi, do t’i japë mundësi administratës amerikane të fokusohet në sfida më të mëdha globale.
“Po besoj që nëse shkohet nga logjika që një herë të përfundojnë problemet e vogla, që të krijohet perceptimi që administrata e re e presidentit Trump është e fuqishme, që po i zgjidh të gjitha problemet e mbetura nga presidenti Biden. Atëherë mund të kemi një përfundim të këtij problemi Kosovë-Serbi me një marrëveshje Uashington, që nënkupton njohjen ligjërisht të obligueshme. Sepse çdo marrëveshje tjetër vetëm e shtynë problemi, po jetojmë në një kohë të pa fundme të këtij dialogu i cili nuk paraqet aq rrezik se sa po paraqitet. Duhet të përfundohet që ShBA-së të jepet fokus më i madh në problemet me te mëdha siç janë rasti i Rusisë dhe Kinës”, ka thënë ai.