Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka shënuar rritje të fluturimeve mbi 4% më shumë në krahasim me vitin 2022, duke kapur shifrën prej 40 mijë fluturime për vitin 2023.
Po ashtu, për herë të parë në historinë e aeroportit, kanë udhëtuar rreth 3.4 milionë udhëtarë, si dhe këto shifra udhëtimesh priten të rriten gjatë këtij viti me liberalizimin e vizave për Kosovën. Aeroporti e sheh veten të përgatitur për këtë numër të udhëtarëve, por se janë duke investuar edhe në hapësira të reja për çfarëdo fluksi tjetër të mundshëm.
Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave, qytetarët janë shprehur të lumtur për këtë mundësi që tashmë e ka Kosova. Kurse, agjencionet turistike kanë thënë se procedura për udhëtime tashmë do të jetë shumë më e lehtë.
Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara ka thënë për KosovaPress, se janë duke shtuar linja ajrore dhe destinacione të reja.
Gara u ka bërë thirrje të gjithë udhëtarëve që dëshirojnë të udhëtojnë pa viza, të përgatisin të gjitha dokumentet e nevojshme në mënyrë që mos t’i anulohet fluturimi për mungesë të ndonjë dokumenti.
Ndërkaq, qytetarët shprehen të lumtur për mundësin e udhëtimit pa viza. Ata thanë se Kosova e ka merituar liberalizimin e vizave dhe se do të vizitojnë të gjithë familjarët e tyre jashtë vendit.
Elbasan Muja tha se Kosova ka qenë i vetmi vend pa liberalizim të vizave.
Aferdita Zyliu tha se është e lumtur për heqjen e vizave dhe se shkon mysafir në Gjermani.
Në anën tjetër, në Agjensionin Turistik “Fibula”, kanë thënë për KosovaPress, se heqja e vizvaë është lehtësim i madh si për qytetarët, ashtu edhe për vet ata.
Fetije Sipahi nga kjo agjensioni, tha se qytetarët tashmë për udhëtime jashtë vendit, me liberalizimin e vizave do të paguajnë 100 euro më pak.
Sipahi tha se rezervime më shumti ka për Gjermani dhe Zvicërr.
Sipas të dhënave nga Aeroporti i Prishtinës, totali i udhëtarëve për vitin 2022, ishte mbi 2 milionë, si dhe destinacionet më të frekuentuara kanë qenë Gjermani dhe Zvicërr./KP