Sa qytetarë kosovarë kërkuan mbështetje financiare për trajtim mjekësor jashtë vendit?

Trajtimet mjekësore të qytetarëve jashtë vendit po shtohen gjersa kërkesat për mbështetje financiare shënojnë rritje. Mes sfidave dhe vështirësive ekonomike e shëndetësore, qytetarët e Kosovës përballen me një realitet që shumica nuk janë në dijeni

Foto ilustrim. Foto: Medline Plus

Shëndeti është preokupimi kyç i çdo qenie njerëzore, njëherësh edhe një ndër sfidat më të mëdha që njerëzit arrijnë të përballen gjatë jetës së tyre. Në të shumtën e rasteve këto sfida vështirë tejkalohen.

Këto sfida shëndetësore shpeshherë janë të papërballueshme duke u bazuar në gjendjen ekonomike të qytetarëve dhe njëkohësisht edhe në mundësinë e shërbimeve shëndetësore në institucionet publike shëndetësore të Kosovës.

Foto ilustrim. Foto: Scripps Health

Mungesa e ofrimeve të shërbimeve shëndetësore në vend detyron qytetarët të kërkojnë ndihmë jashtë vendit. Kalimi në këtë fazë është i vështirë për një pjesë dërrmuese të qytetarëve, sepse ballafaqohen me mungesën e të ardhurave të nevojshme.

Nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) në një përgjigje për Portalin Dukagjini kanë thënë se në kuadër të programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP), në vitin 2021 ky institucion ka pranuar 1 mijë e 122 aplikacione për mbështetje financiare.

“Ndërsa nga janari i vitit 2022, e deri më tani, kemi pranuar 807 aplikacione për mbështetje financiare”, vijon përgjigjja nga FSSh.

Komunat që kryesojnë listën për mbështetje financiare për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore janë, Prishtina, Prizreni, Podujeva e Ferizaj.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSh)

“Komunat, të cilat më së shumti kërkojnë mbështetje financiare për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike janë: Prishtina, Prizreni, Podujeva, Ferizaj, Peja, Gjakova, Vushtrria, Lipjani, Drenasi, Mitrovica e të tjerë”.

Nga FSSh për Portalin Dukagjini kanë thënë se vendet evropiane më të shpeshta, ku qytetarët kërkojnë të marrin trajtimin e tyre janë: Gjermania, Franca, Kroacia, Italia, Sllovenia, e të tjerë.

Komuna e Mitrovicës është një ndër qytetet me më shumë kërkesa për mbështetje financiare për trajtim mjekësor jashtë vendit.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani, ka thënë se këto kërkesa mbështeten financiarisht, përveç nga institucionet, edhe nga ana e qytetarëve.

“Drejtoria e Shëndetësisë këta qytetarë i ndihmon së bashku me qytetarët e tjerë përmes programit të subvencionimit të shpenzimeve për barna për qytetarët që vuajnë nga sëmundjet kronike dhe sëmundjet e tjera që kërkojnë terapi të gjatë dhe të shtrenjtë”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Mitrovicë për Portalin Dukagjini.

Tutje, Shabani ka shtuar se shumat financiare që mblidhen nga qytetarët janë zakonisht të vogla.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Mitrovicë, Fahri Shabani

I pyetur për statistikat e kërkesave për mbështetje financiare të qytetarëve të Mitrovicës, Shabani është shprehur se “Nuk kemi program të veçantë për këta pacientë dhe kushtimisht nuk kemi evidencë të saktë për numrin e tyre”.

Ndërsa, për veprimet e komunës lidhur me këtë çështje, ai është shprehur se kanë rritur buxhetin komunal për subvencionimin e shpenzimeve për barna.

“Si komunë e kemi rritur buxhetin për subvencionimin e shpenzimeve për barna, në të cilën këta qytetarë mund të përfitojnë së bashku me qytetarët që shërohen brenda vendit”, ka thënë Shabani.

Për rritjen e këtij buxheti ai ka thënë se në vitin 2021, kjo shumë ka qenë 35 mijë euro. Në vitin 2022, kjo shumë është rritur në 40 mijë euro. “Kurse në buxhetin e miratuar për vitin 2023, kjo shumë është rritur në 130 mijë euro”, është shprehur drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Mitrovicë.

Shabani ka përfunduar duke thënë se në vitin e ardhshëm do të kenë mundësi pak më të mëdha për subvencionim të kësaj kategorie të qytetarëve.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika