Afro 700 mijë euro investime në shëndetësinë e Mitrovicës, QKMF-ja e re do të jetë më e madhja në rajon

Në një intervistë për Dukagjinin, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani ka thënë se gjatë vitit që lamë pas në shëndetësinë e këtij qyteti janë investuar 694 mijë e 744 euro

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare "Nexhat Çuni" në Mitrovicë

Shëndetësia në Kosovë përfshin një nga fushat më me prioritet, e cila që nga paslufta është ballafaquar me shumë vështirësi të llojllojshme.

Këto sfida bëhen edhe të mëdha, kur flasim për shëndetësinë në nivel lokal.

Një nga qytetet që shëndetësinë e kishte në gjendje të rënduar, por tanimë po zhvillohet dita-ditës, është Mitrovica.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani, në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka dhënë detaje rreth ecurisë së shëndetësisë në këtë qytet gjatë vitit 2023.

Shabani ka thënë se viti 2023 ishte një vit i suksesshëm për shëndetësinë primare (Kujdesi Parësor Shëndetësor) të Mitrovicës.

Ai ka thënë se gjatë vitit të kaluar ka pasur përmirësim dhe zgjerim të shërbimeve shëndetësore, furnizim shumë të mirë me barna, materiale mjekësore, reagenca laboratorikë, material stomatologjik, pastaj furnizim me pajisje, aparatura mjekësore dhe inventar në qendrat shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSh), përmirësim të infrastrukturës shëndetësore përmes renovimit të qendrave shëndetësore dhe ndërtimit të qendrave të reja shëndetësore, përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë e sigurisë së shërbimeve shëndetësore dhe lehtësim të qasjes për marrjen e këtyre shërbimeve nga qytetarët.

Shabani ka thënë se sfidë e vazhdueshme e shëndetësisë primare të Mitrovicës ka qenë dhe është ndërtesa e vjetër e QKMF-së, e cila, sipas tij, nuk plotëson kushtet optimale për ofrimin e shërbimeve shëndetësore (ndërtesë e vjetër, qasje e vështirësuar, hapësira të pamjaftueshme e të tjerë).

Por, sipas tij, ky problem i kamotshëm po zgjidhet tashmë, sepse është duke u ndërtuar QKMF-ja e re, ndërtimi i së cilës pritet të përfundojë (dhe të fillojë dhënia e shërbimeve shëndetësore) në fund të vitit 2024.

QKMF–ja e re, e cila po ndërtohet, do të jetë një objekt madhështor, që do të ketë kushte dhe standarde bashkëkohore, më e madhja jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon sa i përket nivelit primar të shëndetësisë (të menaxhuar nga komunat).

“Sfidë tjetër që e ka përcjellë shëndetësinë primare të Mitrovicës ka qenë edhe gjendja e rëndë e Qendrave të Mjekësisë Familjare (QMF) dhe Ambulancave të Mjekësisë Familjare (AMF-ve) në lagjet dhe fshatrat e Mitrovicës. Ky problem mjaft serioz po zgjidhet me shumë sukses nga ana e Komunës së Mitrovicës, sepse deri tash janë rinovuar plotësisht këto qendra shëndetësore; QMF në Shipol, QMF në Shupkovc, AMF në Vllahi, AMF në Zabergjë, AMF në Rashan, AMF në Kqiç të Madh. Janë ndërtuar tri QMF të reja: QMF në fshatin Frashër i Madh (ka filluar punën në vitin 2023), pastaj QMF në fshatin Koshtovë dhe QMF në fshatin Stan Tërg, të cilat fillojnë punën në fillim të janarit 2024”, ka thënë tutje ai, duke shtuar se të gjitha këto qendra shëndetësore tashmë kanë kushte dhe standard bashkëkohor për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Mes të tjerash, ai ka treguar se në proces të renovimit janë edhe QMF-ja në Bare, QMF-ja në Zhabar dhe AMF-ja në Bajgorë, kurse QMF-ja në lagjen “Iliridë” (ish-Tavnik) po ndërtohet tërësisht e re.

Shabani ka shtuar se sfidë tjetër ishte edhe ofrimi i shërbimeve shëndetësore në fshatrat shqiptare të komunave veriore të Kosovës: AMF në Bistricë (komuna e Leposaviqit), AMF-të në Zhazhë dhe në Lipë (komuna e Zveçanit), AMF në Qabër (komuna e Zubin Potokut) dhe AMF në Kodër të Minatorëve (komuna e Mitrovicës Veriore).

Ai tutje ka rrëfyer se të gjitha këto qendra, përveç stafit shëndetësor, QKMF-ja e Mitrovicës i ka furnizuar edhe me barna dhe material mjekësor.

“Një sfidë tjetër ka qenë menaxhimi i situatave emergjente, që Mitrovicën e kanë përcjellur gjatë vitit 2023. Në muajin janar situata emergjente për shkak të vërshimeve (ofrimi i shërbimeve shëndetësore për të të zhvendosurit nga shtëpitë e tyre), pastaj rasti i helmimit me ushqim i rreth 130 nxënësve të shkollave të mesme të Mitrovicës, mbështetja e Policisë së Kosovës me ekipe mjekësore gjatë aksioneve të saj për zbatimin e sundimit të ligjit në pjesën veriore të vendit, greva e minatorëve të Minierës Trepça e të tjerë. Të gjitha këto situata mjaft sfiduese janë menaxhuar me shumë sukses nga ekipet e Kujdesit Parësor Shëndetësor të Mitrovicës”, ka shtuar drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës.

Shabani, ndër sukseset dhe të arriturat kyçe i vlerëson të jenë përmirësimi i infrastrukturës shëndetësore, si renovimin e AMF-ve, të QMF-ve apo edhe ndërtimin e objekteve të reja për to. Tutje, ai ka theksuar se gjatë vitit 2023 ka pasur furnizim të mirë me barna, materiale mjekësore, pajisje dhe aparatura mjekësore për QKMF-të dhe AMF-të.

Gjithashtu, ndër sukseset e vitit 2023, ai ka radhitur edhe mbulimin e të gjitha QMF-ve dhe të AMF-ve me mjekë familjarë dhe të përgjithshëm, zgjerimin e rrjetit të ordinancave stomatologjike në fshatrat dhe lagjet e Mitrovicës dhe fillimin e zgjerimit të shërbimeve laboratorike në nivelin e QMF-ve.

“Fuqizimi i shërbimit të vizitave shtëpiake mjekësore për gratë shtatzëna, nëna të reja dhe fëmijë deri në 3 vjeç si dhe shërbimit të vizitave shtëpiake të kujdesit paliativ”.

“Fillimi pas shumë viteve i ofrimit të shërbimeve shëndetësore të terapisë parenterale (infuzioneve) në QKMF. Vlen të theksohet se për shumë vjet qytetarët e Mitrovicës nuk kanë pasur mundësi të marrin terapinë me infuzione as në QKMF dhe as në spital. Ky problem është zgjidhur. Fuqizimi i komponentës së preventivës shëndetsore përmes zhvillimit të shumë aktivitetetve dhe fushatave të edukimit shëndetësor dhe promovimit të shëndetit”, ka thënë ai.

Më tej, drejtori i Shëndetësisë ka thënë se “realizimi i projektit ‘Vizitat sistematike mjekësore të nxënësve të shkollave fillore, të mesme të ulëta dhe të mesme të larta të Mitrovicës’, ku nga ekipet mjekësore të QKMF-së është bërë vlerësimi i 35 parametrave vitalë dhe shëndetësorë të nxënësve të të gjitha shkollave të Mitrovicës”.

Sipas tij, këto suksese janë mundësuar nga qeverisja “e mirë” e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza.

Mbështetja nga MSh-ja

Sa i përket mbështetjes nga Ministria e Shëndetësisë (MSh), ai ka potencuar se ky dikaster qeveritar bën furnizimin me barna dhe material mjekësor të QKMF-së, por ky furnizim nga ministria, nevojat e QKMF-së i përmbush vetëm në masën afërsisht 40 për qind, pjesa tjetër e barnave dhe e materialeve mjekësore (mbi 60 për qind), pastaj të gjitha pajisjet, aparaturat, derivatet dhe shpenzimet e tjera mbulohen nga buxheti i Komunës së Mitrovicës.

Shabani ka deklaruar se ankesat më të mëdha dhe më të shpeshta të qytetarëve kanë qenë rreth përmirësimit të kushteve në objektet shëndetësore dhe se, sipas tij, ky problem po zgjidhet përmes ndërtimit të qendrave të reja shëndetësore dhe renovimit të qendrave aktuale.

Mes të tjerash, ai ka treguar se deri më tash rreth gjashtë qendra shëndetësore janë rinovuar tërësisht, tri janë në proces të renovimit, tri qendra janë ndërtuar të reja dhe një QMF është në proces të ndërtimit.

Fahri Shabani, Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Mitrovicë

Tutje, Shabani ka potencuar se kërkesë e përhershme e qytetarëve të Mitrovicës ka qenë  problemi shumëvjeçar i terapisë me infuzione.

Vizitat shtëpiake mjekësore për personat e moshuar dhe personat e palëvizshëm po funksionojnë mirë dhe është një problem i zgjidhur.

“Kërkesa për funksionalizimin e Barnatores së QKMF-së edhe në ndërrimin e pasdites po ashtu është plotësuar. Mund të themi me kompetencë të plotë se përgjithësisht Kujdesi Parësor Shëndetësor i Mitrovicës funksionon më mirë dhe në mënyrë me efikase sesa në vitet e kaluara dhe përgjithësisht qytetarët e Mitrovicës janë të kënaqur me shërbimet shëndetësore në QKMF,  QMF-të dhe AMF-të tona”.

Ndërsa sa u përket investimeve kapitale, Shabani ka njoftuar se gjatë vitit 2022 shuma ishte 320 mijë e 114 euro, gjersa për vitin 2023, shuma ishte arritur afro 700 mijë euro.

Nr. Emërtimi       Viti  2022   Viti 2023
1 Ndërtimi i QKMF-së                         –             377,300.00
2 Ndërtimi i QMF-ve             57,774.43             180,171.52
3 Renovimi i QMF-ve dhe AMF-ve           184,255.54               74,973.44
4 Pajisje dhe aparatura mjekësore             37,185.00               62,299.98
5 Inventar dhe mobilje për QMF, AMF             30,900.00                           –
6 Pajisje të teknologjisë informative             10,000.00                           –
Total           320,114.97             694,744.94

 

Bashkëpunimi në mes të mjekëve dhe pacientëve është i mirë dhe korrekt, thotë Shabani.

“Në QKMF, QMF dhe AMF ekzistojnë kutitë e ankesave, ku qytetarët mund t’i paraqesin ankesat eventuale, të cilat mund t’i paraqesin edhe në mënyrë direkte në QKMF apo në Drejtorinë për Shëndetësi, e të cilat pastaj i shqyrton në baza të rregullta kohore Komisioni i Ankesave të Pacientëve”, ka theksuar tutje ai.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës ka bërë të ditur se për herë të parë në Mitrovicë është funksionalizuar Këshilli i Pacientëve, i cili, sipas tij, po luan rol të rëndësishëm në adresimin e ankesave dhe të kërkesave të pacientëve, por edhe në ndërtimin e një fryme të mirë të bashkëpunimit dhe komunikimit në mes të institucioneve shëndetësore, personelit shëndetësor, si ofrues të shërbimeve shëndetësore në njërën anë dhe pacientëve shfrytëzues të këtyre shërbimeve në anën tjetër.

Një formë e bashkëpunimit të mirë është edhe forma e fletënotimeve komunitare, të cilat realizohen rregullisht në partneritet me organizatat e shoqërisë civile (OJQ Polis, AQH e të tjerë).

Ndërsa, gjatë vitit 2024, Shabani ka theksuar se prioritet i Drejtorisë së Shëndetësisë në Mitrovicë është vazhdimi dhe përfundimi i ndërtimit të QKMF-së së re.

“Vazhdimi dhe përfundimi i renovimit në QMF Bare, QMF Zhabar dhe AMF Bajgorë. Renovimi i tërësishëm i QMF-së në Bair 1 dhe renovime të pjesshme në AMF të në Fidanishtë dhe Gushavc”, i ka cilësuar si plane parësore, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika