Afro dy javë, veriu ende mbetet i barrikaduar

Që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës. Të njëjtat barrikada vazhdojnë të qëndrojnë ende të palëkundura përkundër thirrjeve ndërkombëtare që ato të hiqen menjëherë

Barrikadat në Veri

Bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës ka hyrë në ditën e 12.

Që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për të cilin autoritetet në Kosovë thonë se ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Forcat e policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të dislokuara në veri.

Që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.

Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën në mbrëmje janë dëgjuar dy shpërthime në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ dhe te ‘Tre Rrokaqiejt’ në veri të Mitrovicës.

Lajmin e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Policia e Kosovës, njësitet patrolluese policore të rendit publik, rreth orës 20:45 dhe 21:20, kanë njoftuar se në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ dhe te ‘Tre rrokaqiejt’- Mitrovicë Veri, janë dëgjuar dy shpërthime (dyshohet të jenë shok-bomba)” , ka thënë Kelani.

Megjithatë, Kelani ka shtuar se deri më tani nuk është raportuar për ndonjë lëndim apo dëm material.

Për t’u kujdesur për sigurinë e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës, janë shtuar patrullime edhe nga ana e KFOR-it e EULEX-it.

Të dielën, një grup i protestuesve ekstremistë serbë kanë thyer kordonin e parë të Policisë serbe, e cila po i kontrollonte teksa po protestonin afër kufirit me Kosovën, në pikën kufitare në Jarinjë.

Ata u ndaluan nga kordoni i dytë i policisë, i cili ishte vetëm pak metra larg pikës së kontrollit në Jarinjë.

Në kufi me Serbinë, kishin dalë njësitë e KFOR-it, të cilët i kishin shtuar forcat për ta parandaluar një eskalim të mundshëm të gjendjes.

 

 

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika