Për katër vitet e ardhshme, Agim Aliu do të jetë kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Kryetari i Ferizajt, ka marrë shumicën e votave në Kuvendin e Përgjithshëm të Asociacionit të Komunave të Kosovës që është mbajtur të martën e pesë prllit.
Zgjedhjen e tij për kryetar të AKK-së, Aliu e ka quajtur privilegj, dhe ka falënderuar kryetarët e komunave për besimin e dhënë.
“Duke e falënderuar për punën e kontributin, strukturën e deritanishme të AKK-së, u zotova se bashkë me kolegët tjerë kryetarë të komunave, do të jemi zë i fuqishëm e të palodhur në artikulimin e kërkesave qytetare”, ka thënë Aliu.
Ndërsa, anëtarë të Bordit të AKK-së janë zgjedhur kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti dhe Dragan Petkoviq, kryetar i Komunës së Parteshit.
“Me shumicë votash dhe në bazë të formulës sipas Statutit të AKK-së bazuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kryetari i ri i Asociacionit të Komunave të Kosovës është zgjedhur z.Agim Aliu, ndërsa Nënkryetar u zgjodh z.Imri Ahmeti”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Pas marrjes së mandatit, Aliun e ka ururar kryetari i partisë së tij, Memli Krasniqi, duke e quajtur atë “kryetar model i qeverisjes lokale”
“Agimin dhe Shaqirin, si dhe të gjithë anëtarët e tjerë të bordit te AKK-së, i uroj për marrjen e përgjegjësive të reja, i bindur se do të bëjnë punë të mira në përfaqësimin e interesave të komunave të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Aliun e ka uruar edhe drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi.
Deri më tani, kryetar i AKK-së, ishte Imri Ahmeti, e që, njëkohësisht, është kryetar i Komunës së Lipjanit.