Agjencia demanton MINT-in: Nuk ka konflikt interesi në rastin ish-zëvendësdrejtoreshës së ARBK-së

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e ka mbyllur rastin e denoncimit për konflikt interesi ndaj ish-zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), Pranvera Prestreshi, e cila ishte denoncuar se ishte zënë në konflikt interesi kur e kishte shfuqizuar pezullimin e certifikatës së biznesit për “Klan Kosovën”.

ARBK-ja kishte anuluar vendimin e Prestreshit, duke kthyer pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës dhe kishte pretenduar se ish-zëvendësdrejtoresha është zënë në konflikt interesi shkaku se një familjar i saj ishte avokat i Klan Kosovës.

Pas kësaj, ndaj Prestreshit kishte pasur pretendime se ka konflikt interesi pasi djali i kunatit të saj më 2015 e kishte përfaqësuar Klan Kosovën në ARBK.

“Në vendimin si më sipër dhe në përgjigjen e ARBK-së dhe dokumentacionin e bashkëngjitur nuk është ‘konstatuar’ dhe as ‘konfirmuar’ afërsia (lidhja) e zyrtares znj Pranvera Prestreshi me B.P., përkatësisht me subjektin tregtar “K.K” SH.P.K dhe nuk është ‘konstatuar dhe as konfirmuar se si ARBK ka ardhur deri tek konstatimi i konfliktit të interesit”, thuhet në vendimin e Agjencisë.

Aty thuhet se afërsia e Prestreshit me avokatin është e shkallës së tretë.

“Andaj, nga sa u tha më lartë, Agjencia konstatoi se vendimmarrja e znj. Pranvera Prestreshi, në cilësi të (atëherë) zëvendës Drejtoreshës së Përgjithshme të ARBK-së, lidhur me vendimet: nr. 309, i datës 16.06.2023; nr 311, i datës 16.06.2023 dhe nr 333 i datës 21.06.2023 në raport me subjektin juridik – shoqërinë tregtare “K.K.,” SH.P.K nuk paraqet situatë të konfliktit të interesit sipas dispozitave të LPKI-së”, thuhet më tej në vendim”, thuhet më tej në vendimin e Agjenisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Më 3 gusht, Gjykata Komerciale ka aprovuar kërkesën e Klan Kosovës, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT) për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

MINT ka parashtruar ka ushtruar ankesë në Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale kundër vendimit të shkallës së parë me të cilin është aprovuar kërkesa e Klan Kosovës, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT).

Më 28 korrik, MINT njoftoi se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve kishte marrë  vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”, duke konstatuar se Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin, kur pezulloi certifikatën e biznesit për Klan Kosovën.

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, më 22 qershor, e ka anuluar vendimin me të cilin një ditë më parë, ishte shfuqizuar pezullimi për certifikatën e biznesit të Klan Kosovës. Më pas, Klan Kosova dorëzoi ankesë në ARBK.

Në vendimin e ARBK-së, theksohej se se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës, Pranvera Prestreshi ishte është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit. Në vendim shkruan se Prestreshi e ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së, punon për Klan Kosovën.

Më 14 qershor 2023, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Aty thuhej se MINT, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër.

Pas kësaj, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), në mbledhjen e mbajtur më 16 qershor 2023, ka njoftuar se zyra ligjore e KPM-së, ka dhënë një rekomandim me dy dispozita, lidhur çështjen e pezullimit të certifikatës së licencës së Klan Kosovës. Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së, tha se Klan Kosova, në afat prej 30 ditësh duhet të bëjë plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit, konfrom rregullores për ofruesit e shërbimeve mediale.

Kurse, më 16 qershor 2023, Organizatat anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut (HRN): Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës HANDIKOS, Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Iniciativa e Re Sociale (NSI) dhe Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE), kanë shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), për pezullimin e licencës së biznesit për Klan Kosovën.

Sipas organizatave anëtare të HRN-së, vendimi i MINT është shkelje e drejtpërdrejtë e lirisë së shprehjes dhe medias, si dhe ngjan në një përpjekje për të kontrolluar mediat dhe kufizuar lirinë e fjalës.

Më 19 qershor 2023, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka dhënë sqarime shtesë lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, duke thënë se përpjekja që një çështje biznesi, të përshkruhet si sulm ndaj lirisë së shtypit, është e paarsyeshme dhe e paqëndrueshme.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), për të hënën në orën 12:00 ka thirrë një protestë në sheshin “Zahir Pajaziti”, në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. /BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika