Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar se gjatë muajit mars të këtij viti, nga skema e ndihmës sociale, kanë përfituar afër 22 mijë familje, me mbi 80 mijë anëtarë.
Po ashtu, sipas këtij institucioni, mbi tre mijë familje kanë përfituar në kuadër të ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se gjatë muajit mars 2023: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 21 948 familje me gjithsej 86 945 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 3 088 familje”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Në njoftim flitet edhe për skemat e pensioneve bazike të moshës, ku kanë përfituar 137 mijë e 107 qytetarë.
“Ndërkaq, nga skema e pensioneve bazike të moshës janë 137 103 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 44 339 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 826 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 17 966 përfitues; nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 027 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3 195 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë 2 693 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 760 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 1 628 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) janë 1 289 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 716 përfitues; dhe nga skema për pensionet invalidore janë 56 përfitues”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, gjatë muajit mars 2023 sipas ASK-së, është braktisur 1 fëmijë.