Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është shprehur mirënjohës ndaj të gjithë gazetarëve, foto-reporterëve e kameramanëve për punën e bërë përgjatë vitit 2022.
Përmes një komunikate për media, AGK ka thënë se falë raportimeve nga secili vend, qytetarët janë informuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet.
“Falë raportimeve tuaja nga secili kënd i Republikës së Kosovës, qytetarët janë informuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet nga greva, protesta e barrikadat, deri tek ngjarje që sollën ndjenjë kolektive gëzimi”, thuhet në deklaratën për media.
Po ashtu, sipas AGK-së, 2022-ta ka qenë një vit veçanërisht sfidues për sigurinë e gazetarëve, kameramanëve e foto-reporterëve, me mbi 30 raste të evidentuara sulmesh të formave të ndryshme.
“Falënderues dhe mirënjohës edhe për të gjithë kolegët që nuk ndaluan së raportuari edhe kur u tentuan të pengoheshin nga individë e grupe të caktuara të interesit”.
Ndryshe, këtë vit, sipas njofimit AGK-së i janë shtuar edhe 13 kolegë ukrainas që kanë gjetur në Kosovë strehë dhe mundësi të vazhdimit të punës.