Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka ndikuar që raporti i “Reporterëve pa Kufij”, ta renditë Kosovën 19 pozita më poshtë sa i përket lirisë së medieve.
Në një konferencë për media, Rexha tha se raporti në fjalë e identifikon fushatën denigruese të Qeverisë kundër medieve dhe gazetarëve.
Kjo fushatë, sipas tij, është bërë për ta ulur nivelin e besimit të publikut në media.
“Në vitet e fundit tregon regresin më të madh, për 19 pozita. Kjo renditje mund të mos jetë befasi për gazetarët e media për atë çka kemi përjetuar në vitin e fundit, por duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar. Më së shumti e kam fjalën për Qeverinë e Kosovës. Raporti i reporterëve pa kufi, identifikon fushatën denigruese të Qeverisë kundër medieve dhe gazetarëve për ta minimizuar efektin e punës së tyre dhe për ta ulur nivelin e besimit të publikut në media”, tha ai.
Rexhaj tha se një nga arsyet e regresit është edhe përpjekja e Qeverisë së Kosovës për ta mbyllur mediumin Klan Kosova. Ai u shpreh se është në dorën e Qeverisë që të bëjë përpjekje ta përmirësojë këtë renditje.
“Siguria e gazetarëve ka qenë shqetësim dhe këtë vit. Ka pasur 30 sulme ndaj gazetarëve në veri, ka cenu integritetin fizik të gazetarëve. Kemi pasur sulme fizike edhe në Prishtinë ndaj gazetarëve gra… Është në dorë të qeverisë ta përmirësojë këtë renditje, duke mos e dërguar në miratim ligjin e ri të KPM-së, por duke u angazhuar në një angazhim serioz, me shoqërinë civile duke marrë parasysh vërejtjet”, tha ai.