Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar për gazetarët e rrezikuar gjatë raportimeve nga veriu i Kosovës.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po përcjell me shqetësim situatën e rënduar të sigurisë në 4 komunat në veri, prej nga dhjetëra gazetarë, kameramanë, fotoreporterë dhe punëtorë të tjerë medialë po raportojnë”, shkruan AGK.
“Në këtë mes, portali Koha raporton se një veturë e ekipit është sulmuar me gurë nga persona të maskuar, por që fatmirësisht askush nuk është i lënduar. AGK-ja, gjithashtu, i fton gazetarët dhe redaksitë për kujdes të shtuar në këtë situatë të vështirë”, thuhet tutje në reagim.
AGK-ja u ka bërë thirrje organeve të rendit, Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurt dhe të papenguar të ekipeve mediale.