Media online “Sbunker” ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka pësuar një sulm kibernetik të kordinuar dhe të sofistikuar, duke ndikuar në fshirjen e përmbajtjeve e katër muajve të fundit.
E për këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës [AGK] duke dënuar sulmin teksa ka shtuar se AGK-ja e sheh si përpjekje kundër lirisë së medies dhe shprehjes në Kosovë.
“Sbunker dëshiron të informojë publikun se sot, më 16 korrik, faqja e tij www.sbunker.org pësoi një sulm kibernetik të koordinuar dhe të sofistikuar. Uebfaqja është kthyer dhe po punojmë për të rikuperuar përmbajtjen e cila është komprometuar përkohësisht. Megjithëse qemë në gjendje të ruanim shumicën e përmbajtjes sonë, sulmuesit arritën të fshijnë përmbajtjen e katër muajve të fundit. Vlerësimi i plotë i dëmeve të shkaktuara nga ky operacion keqdashës është ende në vazhdim. Megjithatë, duke gjykuar nga përmasat dhe sofistikimi i sulmit, mund të konkludojmë se ky operacion u krye nga një grup profesionistësh”, thuhet në njoftim.
AGK-ja, e fton Njësinë Kibernetike të Policisë së Kosovës që të hetojë rastin me prioritet dhe ta informojë median në fjalë për rezultatin e hetimeve.