Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar ndaj paralajmërimit të Lëvizjes Vetëvendosje për bojkotimin e disa prej televizioneve kryesore në vend, duke e cilësuar këtë veprim si një kërcënim për pluralizmin medial dhe transparencën.
“Paralajmërimi për bojkotin e disa prej televizioneve kryesore në vend, si Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7, nga ana e partisë në pushtet, Vetëvendosje, është një zhvillim që shkon kundër transparencës dhe përpjekjeve për të minuar rolin e gazetarëve dhe mediave për të mbajtur përgjegjëse partinë që ka udhëhequr Kosovën për 4 vjet për politikat e saj”, thuhet në reagim.
AGK-ja ka shprehur shqetësimin se ky bojkot mund të dëmtojë rëndë rolin e gazetarëve dhe mediave në mbajtjen e përgjegjësisë ndaj partisë në pushtet për politikat e saj gjatë katër viteve të fundit.
Në një deklaratë për media, AGK-ja i ka bërë thirrje Vetëvendosjes që ta rishqyrtojë këtë pozicion dhe të sigurojë qasje të barabartë për të gjitha mediat në fushatë.
Sipas AGK-së, është thelbësore që të gjitha subjektet politike të kenë mundësinë të paraqesin programet e tyre në mënyrë të barabartë, për të garantuar informacion të plotë dhe të paanshëm për qytetarët.
Po ashtu, AGK ka dënuar vazhdimin e sulmeve ndaj gazetarëve nga zyrtarët e Vetëvendosjes, duke përfshirë postimin e fundit të zëdhënësit Arlind Manxhuka, i cili e quajti median “institucione paralele”.