Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se ka ndjekur me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit rreth transmetuesit publik në vend, RTK.
AGK-ja, ka konsideruar se emërimi i Rilind Gërvallës, si drejtor i kanaleve shqip në RTK, duke qenë mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), përbën konflikt interesi dhe cenon rëndë pavarësinë e transmetuesit publik.
“Gërvalla ka demonstruar publikisht mbështetjen për partinë në pushtet dhe e ka promovuar atë aktivisht”, thuhet në komunikatën e AGK-së.
Sipas tyre, rekomandimi dhe emërimi i tij është në kundërshtim me praktikën e mirë që është krijuar gjatë përzgjedhjes së bordit të RTK-së, “proces ky që ishte lavdëruar ndërkombëtarisht, si transparent dhe profesional”.
Duke e konsideruar si konflikt interesi dhe cenim të pavarësisë së televizionit publik emërimin e Gërvalles si drejtor të RTK-së, AGK-ja ka kërkuar proces të ri rekrutimi pa ndërhyrje politike.
“Ne besojmë që një proces i ri rekrutimi, në baza të meritokracisë dhe pa ndërhyje politike është i nevojshëm dhe do të lejonte vazhdimin e depolitizimit të transmetuesit publik, dhe do të krijonte atmosferë ku gazetarët mund të veprojnë të lirë pa presion politik”.
“Ky zhvillim do të ndikojë negativisht në renditjen e Kosovës sa i përket lirisë së medies”, thuhet tutje në komunikatën e AGK-së.