Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka lansuar Udhëzuesin për Politikat Redaktoriale, i zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësues të lartë të komunitetit mediatik, organizata të shoqërisë civile, agjenci relevante të Kosovës dhe gazetarë.
Gjatë ceremonisë së lansimit udhëzuesin e ka prezantuar nënkryetarja e AGK-së, Naile Dema, e cila e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm rolin që udhëzuesi pritet të ketë në lehtësimin e punës së gazetarëve.
“Ky dokument synon të shërbejë si një mjet praktik dhe gjithëpërfshirës për të mbështetur vendimmarrjen redaktuese, për të nxitur integritetin gazetaresk dhe për të forcuar llogaridhënien mediatike në Kosovë. Gjithashtu, dokumenti ka synim që t’i bëjë bashkë të gjitha çështjet që i preokupojnë gazetarët”, ka thënë Dema.
Kurse, përfaqësuesi i UNMIK-ut, Nikola Gaon, ka folur rreth rolit lehtësues që ky mision ka pasur në hartimin e këtij udhëzuesi.

Udhëzuesi për Politikat Redaktoriale, sipas AGK-së, është hartuar në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të gazetarisë dhe me Kodet Etike vendore, përfshirë ato të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).
Ky nuk është një dokument ligjor, por një rekomandim praktik dhe jodetyrues që synon të mbështesë redaksitë dhe gazetarët në proceset e tyre të vendimmarrjes redaktuese.
“Ai ofron një kornizë për të siguruar konsistencë, transparencë dhe përgjegjësi etike në operacionet e përditshme të redaksive. Udhëzuesi është menduar të plotësojë, e jo të zëvendësojë, kodet ekzistuese etike, duke shërbyer si një mjet ndihmës për redaktorët dhe gazetarët në përballjen me sfidat redaktuese komplekse”, është thënë gjatë prezantimit të udhëzuesit të premten.
Aty u bë e ditur se udhëzuesi do të shpërndahet në të gjitha redaksitë në Kosovë, me qëllim forcimin e pavarësisë redaktuese dhe ngritjen e standardeve profesionale në të gjithë sektorin mediatik.
Pas prezantimit është zhvilluar edhe një diskutim rreth udhëzuesit nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, gazetarë, juristë të së drejtës së medias, ekspertë ligjorë, dhe profesorë universitarë.
