Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, kanë reaguar ndaj fjalimit të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Sipas AGK-së, fjalimi i Pacollit në Kuvendin e Kosovës, është thirrje për rregullim qeveritar të mediave.
Në reagimin e AGK-së, thuhet se fjalimi i deputetes Pacolli paraqet rrezik për lirinë e medias në Kosovës.
“Në një fjalim të sotëm në Kuvend, deputetja e partisë në pushtet, Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka bërë thirrje për rregullim qeveritar të mediave, sidomos mediave online. Thirrja e hapur e deputetes Pacolli për ndërhyrje direkte të Qeverisë për kontroll ndaj mediave është e papranueshme për AGK-në dhe KMShK-në dhe paraqet rrezik për lirinë e medias në vend”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Po ashtu, në reagimin e tyre, thuhet se shumica e mediave, janë të regjistruara si biznese në ARBK, kurse një pjesë tjetër si OJQ.
“Mediat, shumica e të cilave janë të regjistruara si biznese në ARBK, kurse një pjesë tjetër si OJQ, rregullojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet ligjeve përkatëse në Kosovë dhe rregulloreve të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës – Press Council of Kosovo”, vijon njoftimi i tyre.
AGK, fjalimin e deputetes Pacolli e ka konsideruar kërcënim serioz ndaj mediave.
Deputetja e LVV-së thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që të “marrin masa ndaj mediave”
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi, ka kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës që të ndërmarrin masa lidhur me funksionimin dhe transparencën e disa mediave private.
Kjo për shkak se, sipas saj, mediat në Kosovë po bëjnë shantazhe politike.
Gjatë fjalimit të saj në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ajo ka theksuar se kjo gjë të cilën ajo e konsideron “shqetësuese”, është përmendur edhe në rezolutën e fundit për Kosovën të miratuar nga Parlamenti Evropian, gjë që sipas saj, nuk kishte ndodhur më parë.
“Një gjë shqetësuese që përmendet në Rezolutën e fundit, dhe që nuk është përmendur asnjëherë në Rezolutat e mëparshme edhe si qeveri duhet të merren masa, është se vitet e fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online që po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik”, ka thënë ajo.
“Këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrin masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funskionimin e mediave, me transparencën si dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, ka shtuar Pacolli.