Të hënën në veri të vendit, specifikisht afër barrikadave të vendosura në fshatin Çabër të Zubin Potokut, është sulmuar me gurë një ekip i mediumit Klan Kosova.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët janë shprehur të “shqetësuar për sigurinë e kolegëve që po raportojnë nga veriu i vendit”.
AGK ka bërë thirrje tek organet e sigurisë të marrin masa për të siguruar mbrojtje për gazetarët, të cilët raportojnë nga veriu i Kosovës.
“AGK-ja, sërish bën thirrje tek organet kompetente që të marrin masa për të siguruar gazetarët, njëherësh kërkojmë që të lejohen të bëjnë punën e tyre pa u penguar”, thuhet në reagimin e tyre.
Ky është sulmi i tretë i gazetarëve, të cilët derisa po raportonin nga veriu ishin sulmuar nga persona të paidentifikuar deri më tani.