Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar pas vendimit të ri të ARBK-së, i cili anuloi vendimin e një dite më parë, me të cilin anulohej vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova Sh.P.K.
AGK-ja është shprehur e alarmuar me vendimin e ri të ARBK-së kundër Klan Kosovës, dhe ka ritheksuar se ky vendim i ri dëshmon përpjekjen e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për t’i goditur mediat në Kosovë.
Po ashtu, sipas AGK-së një vendim i tillë është i papranueshëm dhe joserioz, dhe do të dëmtojë më tutje ambientin medial.
“AGK-ja, rikthekson se vendimi i ri e dëshmon përpjekjen e Qeverisë së Vetëvendosjes të udhëhequr nga Kryeministri Kurti për të goditur mediet në Kosovë, dhe për të kufizuar lirinë e mediave e për t’iu dërguar mesazhe paralajmërimi edhe medieve të tjera në vend. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe joserioz, dhe do të dëmtojë më tutje ambientin medial në Kosovë”, ka shkruar AGK-ja në Facebook.
Ndër të tjera, AGK-ja, ka bërë thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.
Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), të enjten ka njoftuar se është anuluar vendimi i një dite më parë, i cili anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova Sh.P.K.
Klan Kosova ka raportuar se në këtë vendim, theksohet se “ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, meqë ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së, punon për Klan Kosova, fakt i cili nuk qëndron”.
Klan Kosova ka shprehur habinë me këtë vendim të ri të ARBK-së, brenda më pak se 24 orë prej vendimit të parë dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë që ta kthejë ligjshmërinë në këtë çështje.
Njëkohësisht, Klan Kosova “vazhdon të besojë se veprimet e ditëve të fundit, si dhe ky i sotmi, janë tendencë e qartë për të pamundësuar veprimin e medias së pavarur dhe shprehjes së fjalës së lirë”.
Klan Kosova, si dhe deri më tash ka theksuar edhe për këtë hap do t’i njoftojë të gjitha organizatat dhe institucionet e medias dhe gazetarëve në vend dhe në botë, përfaqësitë diplomatike dhe misionet ndërkombëtare të akredituara në Kosovë.